Katër vite pa Mehmet Latifin-Naser Pajaziti

Katër vite pa Mehmet Latifin

Si sot katër vite më parë më 4 prill 2018 u nda nga jeta doajeni i gazetarisë shqiptare Mehmet Latifi.

Ai ishte një gazetar, reporter, udhëpërshkrues, publicist dhe një enciklopedi e pasur, që la shumë vepra, fjalë dhe porosi, por edhe leksione jete. Ishte njëri nga gazetarët dhe redaktorët që kontriboi shumë për agjencinë e lajmeve INA me storjet, materialet publicistike e deri tek raportet se çfarë po ndodhte në Strugë, Preshevë, Zarë, e gjetiu me diasporën tonë.

Mehmeti ishte një personalitet që me dëshirën e tij nuk preferonte ekspozimin, përpos punës, duke ngelur një doajen i publicistikës dhe gazetarisë shqiptare. Mungesa e tij po ndjehet nga Struga e deri tek Zara dhe Presheva e tij, aty ku nisi rrugëtimin sfidues që në vitet e fundit e përplasi në valët e liqenit.

Atë e kujtojmë si një personalitet me vlera të mëdha që nuk nënshtrohej para askujt, një gazetar ‘rebel’ që nuk dorëzohej para çdo sfide, duke qenë në anën e të vërtetës.

JetëshkrimiStrugaLajm

Mehmet Latifi lindi më 15 mars 1949 në Preshevë, në një familje atdhetare dhe arsimdashëse, nga prindërit Latif dhe Hamide Latifi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në qytetin e Zarës, ku u vendos që nga viti 1974, me familjen e ngushtë. Në vitin 1988, valët e jetës e sollën në Strugë, së bashku me vajzën e mrekullueshme Anita… Plotë 30 vjet ishte i përkushtuar në gazetari e publicistikë…, duke qenë një gazetar, redaktor dhe këshilldhënës në agjencinë e lajmeve INA.

Pas një sëmundje të rëndë, më 4 prill 2018, në Strugë u nda nga familja, miqtë, shokët dhe kolegët, gazetari dhe publicist Mehmet Latifi, duke na lënë me dhimbje e trishtim të thellë, por njëherit edhe kujtime të pashlyeshme. Ai la një opus të pasur dhe të rrallë të dorëshkrimeve që duhet të gjejnë dritë, sepse janë pasuri kombëtare.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!


Loading...
loading...