Kim Mehmeti: Shqiptarët e Maqedonisë ndërtuan sistem piramidal të vlerave të rrejshme

Nga Kim Mehmeti

Ngjarjet e fundit rreth (mos)rrëzimit të qeverisë së Maqedonisë, më së miri tregojnë se gjitha partitë shqiptare, cila më shumë e cila më pakë, ‘din e iman’, parim e moral, ideologji e ideal…, kanë interesat personale të drejtuesve të tyre, interesa që realizohen vetëm me ardhjen me çdo kusht në pushtet.

Dhe gabon ai që beson se populli nuk e dinë këtë të vërtetë. Duke e ditur këtë, zgjedhësit e këtushëm shqiptarë, veprojnë sipas mendësisë se nga gjitha të këqijat, më së miri të del ta zgjedhësh ‘nënën’ e gjitha fatkeqësive, pra BDI’në, partin të cilës, gjatë këtyre dy dekadave sa ka qenë pjesë e gjitha qeverive, ia ke mësuar ‘sportelet’ dhe ia njeh ‘banditët’ partiak ku bëhet pagesa për proceset gjyqësore, për punësime, për lejet e ndërtimit, për blerjen e tokave shtetërore…

Më në fund, gjatë këtyre viteve sa drejtuesit e BDI-së merren me politika euro-atlantike, ajo realizoi diçka shumë të vlefshme për qarqet politike e policore maqedonase: e kriminalizoi shoqërinë e këtushme shqiptare, ndërtoi sistem piramidalë të vlerave të rrejshme, me çka u lartësua autoriteti i profesorëve që shesin nota, i mjekëve që e njohin vetëm ‘protokollin’ e thellësisë së xhepit, e gjykatësve që i nënshtrohet vetëm ligjit të euros dhe dollarit…!

Dhe si e tillë, BDI-ja u bë partner i pazëvendësueshme për partitë maqedonase. Pra, partitë opozitare shqiptare mund të bëheshin e të bëhen pjesë e qeverisë, vetëm nëse i shërbejnë kësaj partie. Dhe ato e dinë se gjatë zgjedhjeve, nuk kanë përballë vetes vetëm BDI-në, por edhe gjitha qarqet politike e policore maqedonase, e për çka pjesë të fajit kemi edhe të gjithë ne ‘patriotët’ tjerë, që i matim të tjerët, por kurrë nuk e peshojmë vetveten.

Andaj kurrë mos e besoni se ndonjë parti shqiptare vullnetarisht e ka braktisur koalicionin qeveritar, apo se e ka lënë pushtetin për arsye parimore. Këtë mos ua besoni as këtyre ‘besatarëve’ që u bënë deputet me votat e LSDM’së, sepse partitë tjera shqiptare, bëhen pjesë e qeverisë, vetëm sa për t’i mbuluar gjurmët ‘patriotike’ të burrështetasve të BDI’së!

Kështu që, edhe tani, kur flitet për partitë opozitare që do mund t’i bashkëngjiteshin qeverisë së tanishme të Maqedonisë, duhet thënë qartë e shqip: do bëhet parti qeveritare ajo që me kohë e ka vizituar Reçicën e Vogël, ku ka treguar sa e ka ‘çmimin’ dhe ku është betuar se me devotshmëri do i shërbejë BDI’së.

Duke u nisur nga kjo që u tha më lartë, artikullshkruesi vë bast publik se partia që tani do bëhet pjesë e qeverisë LSDM-BDI, do përfundojë me një autobus votuesish dhe do bëhet anëtare e ‘klubit’ të mjeranëve me zemër në Bruksel, që vetëkidnapohen në Shkup, klub i drejtuar nga ‘tregtari’ më i moçëm për shitblerje politikanësh shqiptarë – nga kryetari i partisë pa anëtarë, i PDSH’së, i cili deri dje, ua shante unazat ‘lindorëve’, e sot, Maqedoninë e mbron nga ndikimi ruso-turk?!


Loading...
loading...