ASH me 65 për qind të kandidatëve dhe 35 për qind për BESËN është marrëveshja që partia e Bilall Kasamit ka pranuar për koalicion me partinë e Ziadin Selës. ASH do të ketë bartës në Njësinë 6, në 5 dhe në 2, ndërsa në 6 ndarja të jetë 50=50. Alternativa ndërkohë ka ofertë më të butë – në Njësinë 6 ka pranuar t’i takojë numri 4 apo 5 në listë, derisa bartësin e ka kërkuar në Njësinë 2 zgjedhore. “Alternativa kërkon shpëtim me ofertën, shpresojnë të fitojnë së paku dy deputet”.
Sot apo nesër pritet të publikohet koalicioni opozitar shqiptarë për zgjedhjet e 12 prillit. Megjithëse me pak shpresa, Lëvizja BESA akoma shpreson se Aleanca për Shqiptarët do të vendos që koalicioni parazgjedhor të jetë trepalësh, konkretisht ASH-BESA dhe Alternativa. Është pikërisht ASH e Ziadin Selës që pritet të jap përgjigje në ofertën përfundimtare të BESËS, ofertë kjo që më së shumti ka në fokus Njësinë e gjashtë zgjedhore, aty ku ka edhe më shumë deputetë. Zyrtarë të BESËS thonë se paraprakisht, janë pajtuar me ofertën e Aleancës për Shqiptarët që në Njësinë e gjashtë zgjedhore, bartësi t’i takojë Ziadin Selës, i pasuar nga Bilall Kasami. Në Njësinë e dytë zgjedhore, BESA është pajtuar që bartësi të jetë i ASH-së, ashtu sikurse në Njësinë e pestë zgjedhore. Madje, në Njësinë e pestë zgjedhore, edhe i dyti me radhë do të jetë i ASH-së, por me kusht që në Njësinë e gjashtë zgjedhore, ndarja e listës të jetë 50=50. BESA, sipas ofertës, bartës do të ketë vetëm në Njësinë e parë zgjedhore.
Me këtë, siç merr vesh gazeta KOHA, BESA ka insistuar që në Njësinë 6, kreu i saj Bilall Kasami të jetë i dyti në radhë, pasi Njësisë 6 i duhet një kandidat që vjen nga Tetova, ndërsa numrat e radhës të ndahen 50=50 me ASH-në. Sipas matematikës që BESA është pajtuar me ndarjen e listave, partisë së Kasamit i takojnë 35 për qind e kandidatëve, partisë së Selës 65 për qind. Por, siç thonë burime të BESËS, kjo ofertë – edhe pse fillimisht e parashtruar nga ASH, akoma nuk ka një përgjigje konkrete. Madje, siç thonë në BESA, vet ASH po thyhen parimet pasi vazhdojnë bisedimet me Alternativën, edhe përkundër asaj se partia e Afrim Gashit u vetpërjashtua nga koalicioni trepalësh./koha