
Në fshatin Fierishtë të Strugës u shënua një moment me rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare, me vendosjen e pllakës evokuese në shtëpinë e veprimtarit Murat Lumani, e njohur për rolin e saj të jashtëzakonshëm gjatë periudhës së organizimit të rezistencës shqiptare dhe luftës çlirimtare.
Pllaka u vendos nga komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Azem Syla, duke dëshmuar se kjo shtëpi ka qenë një nga bazat më të rëndësishme të ilegalës shqiptare që nga viti 1991. Sipas mbishkrimit, përmes kësaj baze kanë kaluar dhjetëra veprimtarë nga Kosova dhe Maqedonia, në rrugëtimin e tyre drejt Shqipërisë, në funksion të organizimit dhe përgatitjes së rezistencës.

Nga viti 1993 deri në vitin 1999, shtëpia e familjes Lumani shërbeu drejtpërdrejt si bazë e UÇK-së, duke ofruar strehim të sigurt për strukturat udhëheqëse dhe pjesëtarët e saj në periudhat më të ndjeshme të luftës.

Një moment i veçantë historik i evidentuar në pllakatë lidhet me marsin e vitit 1999, kur pas kthimit nga Konferenca e Rambujesë, në këtë shtëpi qëndruan deri në rikthimin e tyre në Kosovë pjesëtarët e delegacionit shqiptar: Hashim Thaçi, Ramë Buja, Kadri Veseli dhe Agim Çeku.
Vendosja e kësaj pllake përfaqëson një akt institucional mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të familjes së Murat Lumanit, e cila për vite me radhë e shndërroi shtëpinë e saj në strehë të sigurt për veprimtarët e çështjes kombëtare, duke mbështetur drejtpërdrejt përpjekjet për liri.
Veprimtari Murat Lumani ish-i burgosur politik dhe aktivist me një bagazh të pasur aktivitetesh në shërbim të çështjes kombëtare. Për kontributin e tij shumëvjeçar është nderuar me mirënjohje edhe nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, si dhe nga Shtabi i UÇK-së për rolin dhe kontributin e gjithëanshëme gjatë luftës së Kosovës.
Vizita e komandantit Syla në Fierishtë u interpretua si një rikthim simbolik në një nga pikat kyçe të organizimit të rezistencës shqiptare, duke nderuar jo vetëm familjen Lumani, por edhe të gjithë struganët që në momentet më vendimtare kontribuuan dhe mbështetën luftën çlirimtare dhe idealin e lirisë kombëtare.(StrugaLajm.com)































