Komuna e Strugës: Projekte infrastrukturore në fokus në takimin Qyra–Hoxha

Komuna e Strugës njofton se kryetari i komunës, Mendi Qyra, ka realizuar një takim pune me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ku është diskutuar për projektet infrastrukturore që aktualisht po zbatohen me mbështetje financiare nga Ministria.
Sipas njoftimit të Komunës së Strugës, në fokus të takimit kanë qenë disa projekte të rëndësishme për qytetin dhe zonat përreth.
Ndër to është përgatitja e dokumentacionit teknik për ndërtimin e stacionit të pastrimit në fshatin Labunisht, projekt për të cilin janë siguruar 1 milion denarë nga Ministria, si dhe 200 mijë denarë pjesëmarrje nga Komuna e Strugës. Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një stacioni modern për trajtimin e ujërave të ndotura.
Po ashtu, është diskutuar rekonstruksioni dhe zëvendësimi i rrjetit të ujësjellësit prej azbesti – faza e parë në qytetin e Strugës, projekt që realizohet në kuadër të “Projektit për përmirësimin e cilësisë së ujit”, me vlerë të përgjithshme prej 90 milionë denarësh, nga të cilat 72 milionë sigurohen nga Ministria dhe 18 milionë nga Komuna e Strugës.
Në takim është trajtuar edhe ndërtimi i kolektorit primar për ujërat fekale në Strugë, në relacin Autokampi “Treska” – vendbanimi turistik “Elen Kamen”, me gjatësi 5.180 metra, projekt që mbështetet financiarisht nga Ministria e Mjedisit Jetësor me 27.4 milionë denarë.
Nga Komuna e Strugës theksojnë se mbeten të përkushtuar në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe në bashkëpunimin institucional, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e standardit jetësor të qytetarëve.




























