Komuna:Dy helikopterë janë angazhuar për shuarjen e zjarrit në rajonin e Strugës

Dy helikopterë janë angazhuar për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë malin Jabllanicë në rajonin e Strugës, pasi ndërhyrja nga toka ishte pothuajse e pamundur për shkak të terrenit të vështirë malor.
Sipas njoftimit të Komunës së Strugës, aktivizimi i helikopterëve është bërë pas kërkesës së kryetarit të komunës, Mendi Qyra, ndërsa në aksion është përfshirë Qendra për Menaxhim me Kriza. Flakët në këtë zonë paraqisnin rrezik serioz për natyrën dhe biodiversitetin, por edhe për shtëpitë e banuara në zonat përreth.
Autoritetet bëjnë të ditur se përveç zjarrit në Jabllanicë, në rajonin e Strugës është regjistruar edhe një vatër tjetër aktive në fshatin Bogovicë, ku ndërhyrja për shuarjen e flakëve do të bëhet nga toka.
Nga Komuna e Strugës është bërë edhe një apel urgjent për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjësi, duke shmangur ndezjen e zjarreve në mal, ara apo hapësira të hapura.
Institucionet paralajmërojnë se do të jenë në terren dhe ndaj çdo personi që shkakton zjarr apo vepron në mënyrë të papërgjegjshme do të ndërmerren masa të rrepta ligjore, pasi çdo pakujdesi mund të shkaktojë pasoja të rënda për natyrën, pronën dhe jetën e njerëzve.































