BLENDI PETROL
Aktuale

KOMUNAT: Kompetenca, pa financa

A duhet të rriten mjetet e grumbulluara nga tatimet e ndryshme që i paguajnë qytetarët në arkën e komunës, me qëllim që më lehtë të realizohen projektet e ndryshme infrastrukturore për të përmirësuar jetesën e banorëve të komunave të tyre dhe komunat a duhet të ngarkohen vetëm me kompetenca, apo duhet t’u lihen në dispozicion fonde më të mëdha buxhetore? Këto janë çështje mjaft thelbësore, të cilat institucionet qendrore në të ardhmen duhet t’i zgjidhin në mënyrë që të ndërpritet ky zhvillim i pabarabartë i rajoneve

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 11 maj – Maqedonia vite me radhë shënon zhvillim jo të barabartë rajonal. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore, sipas të cilave nga tetë rajone në shtet, ai i Pollogut me 1929 euro të Prodhimit të Brendshëm bruto është më i varfëri në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, sipas këtij treguesi ekonomik, që paraqet vlerën me çmimet e tregut të të gjitha të mirave materiale dhe shërbimeve të prodhuara brenda një rajoni apo shteti në një vit, rezulton të jetë rajoni i Shkupit më i pasur në Maqedoni me 5673 euro për kokë banori, i pasuar nga rajoni i Vardarit me 4371 euro dhe ai Juglindor me 4333 euro.

Rajoni i Pellagonisë është i katërti me 3.955 euro, ndërsa ai Lindor me 3.689 euro, është i pesti. Në tri vendet e fundit renditet rajoni Jugperëndimor me 2.906 euro, ai Verilindor me 2462 euro dhe krejt i fundit me 1929 euro, është rajoni i Pollogut.

DISKRIMINIMI GJATË NDARJES SË BUXHETIT SHTETËROR

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se për zhvillimin jo të barabartë rajonal në Maqedoni ekzistojnë më shumë shkaqe duke filluar nga mungesa e i investimeve të shtetit në mënyrë të barabartë në gjithë territorin e shtetit, kapaciteteve të dobëta të pushteteve lokale për tërheqjen e fondeve të huaja, si dhe bartja e obligimeve por jo edhe të të hollave ndaj komunave nga ana e pushtetit qendror.
“Shkaqet kryesore të një zhvillimi jo të barabartë rajonal në Maqedoni janë diskriminimi gjatë ndarjes së buxhetit në nivel të shtetit ku për shembull, në Shkup janë përfunduar godinat e Teatrit dhe Baletit, ndërsa në Tetovë akoma nuk ka përfunduar Teatri apo rruga për në Kodrën e Diellit. Njëherësh edhe komunat në Maqedoninë Perëndimore shpesh punësojnë kuadro joprofesionale që me mjaft vështirësi i ndjekin dhe realizojnë me sukses projektet e ndryshme të jashtme”, thotë për KOHA, profesori universitar Mislim Zendeli.

Problem tjetër që ndjek zhvillimin jo të barabartë rajonal në nivel të shtetit, sipas Zendelit, është edhe bartja e mjaft kompetencave dhe përgjegjësive të komunave nga ana e pushtetit qendror, por jo edhe të financave. Ai sugjeron që të rriten mjetet e grumbulluara nga tatimet e të ndryshme që i paguajnë qytetarët në arkën e komunës, me qëllim që ato më lehtë të realizojnë projektet e ndryshme infrastrukturore për të përmirësuar jetesën e banorëve të komunave të tyre.

QEVERIA PREMTON ZHVILLIM TË BARABARTË

Në ndërkohë ekzekutivi i ri paralajmëroi se angazhohet fuqishëm që jo vetëm me mjete buxhetore të përkrahë zhvillimin e barabartë rajonal.

“Me të gjitha fuqitë, përmes programit për zhvillim të barabartë rajonal, përmes buxhetit , dhe përmes mjeteve për të cilat do të aplikojmë për mjetet IPA , një vëmendje maksimale do ti kushtohet zhvillimit të barabartë rajonal, apo me fjalë të tjera, mjetet do të harxhohen në tërë territorin e shtetit, siç duhet të bëjë çdo qeveri e përgjegjshme me qëllim që qytetarët të kenë kushte të barabarta të jetesës”, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev.

Në ndërkohë, sivjet do të financohen 104 projekte përmes Programit për zhvillim të barabartë rajonal në vlerë prej 4.5 milionë euro, që është për 57 për qind më shumë se në vitin e kaluar. Sivjet kanë arritur 137 aplikacione për financimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore si dhe përgatitjen e dokumentacionit teknik për aplikimin e rajoneve zhvillimore për programet e donatorëve apo për fondet IPA. Krahas kësaj programe , sivjet për zhvillim të barabartë rajonal do të ndahen edhe 400 milionë euro të investimeve kapitale që shpërndahen në të gjithë Maqedoninë.

Nga ana tjetër, ministri për Pushtet Lokal, Suhejl Fazliu thotë se qeveria angazhohet që për çdo vjet të rriten mjetet për zhvillim të barabartë rajonal.

“Pjesa më e madhe e projekteve janë infrastrukturore, si nevojë më e madhe e qytetarëve për momentin, si dhe për përgatitjen e dokumentacionit teknik që të mundet rajonet planifikuese të aplikojnë për mjete më të mëdha donatorësh ose për mjetet IPA. Me rritjen e mjeteve për zhvillim të barabartë rajonal për 100 milionë denarë në buxhetin e vitit 2018, ose për mbi 50 për qind në raport me vitin paraprak, qeveria tregoi vullnet të fuqishëm politik për përkrahje më të madhe të zhvillimit lokal dhe zhvillimit të barabartë rajonal”, thotë ministri Fazliu.

Sipas tij, do të vendoset edhe sistem i koordinimit dhe ndjekjes së alokimit të mjeteve nga politika e sektoriale, me qëllim që të ndikohet në shpërndarjen e tyre të barabartë sipas nivelit të zhvillimit dhe nevojave reale të qytetarëve.

Ndryshe, nga përbërja e re e këshillit për zhvillim të barabartë rajonal që u formua në dhjetor të vitit të kaluar thonë se nuk kemi një pasqyrë të qartë se sa mjete orientohen ndaj tetë rajoneve planore, andaj po përgatitet zhvillimi i një mekanizmi transparent që do të ndjekë se sa mjete dedikohen për tetë rajonet dhe do të ndihmojë të intervenohet me qëllim që të sigurohet zhvillim i barabartë rajonal. (koha.mk)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button