KONGRESI i MANASTIRIT 1908-2021

Nebi Dervishi

Njëqind e 13  vjet më parë, prej 14 deri më 22 nëntor ose me kalendarin e vjetër 7-20 të vjeshtës së tretë 1908, në qytetin e Qiriazëve, u mbajt Kongresi i Parë i Manastirit për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare në këtë etapë. Në qendër të tyre ishte zgjidhja përfundimtare e problemit të alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë politik, arsimor e kulturor si dhe një kërkesë e ngutshme e Lëvizjes Kombëtare.

Për të përmbushur këtë kërkesë atdhetarët shqiptarë shpejtuan të shfrytëzojnë gjendjen e krijuar pas shpalljes së “Hyrijetit” (Lirive), më 23 korrik 1908. Pak javë më pas, Klubi “Bashkimi” i Manastirit u bë nismëtar për thirrjen e një kongresi kombëtar, që ka hyrë në histori me emrin Kongresi i Parë i Manastirit. Është pikërisht ky truall i shëndetshëm, i cili priste farën për t’u mbjellë, pra, alfabetin e gjuhës shqipe. Dhe, fati e deshi që edhe kësaj radhe, pararoja e atdhetarëve shqiptarë të jetonte e punonte në Manastir, si familja Qiriazi, Topulli, Grameno, Zavalani, etj. Pikërisht klubi “Bashkimi” i Manastirit, ishte ai që prej disa muajsh kishte vendosur lidhje me patriotët shqiptarë e të katër vilajeteve, duke theksuar idenë për unifikimin sa më të shpejtë të alfabetit të shqipes. në një udhëzim të tij, dërguar klubeve të të gjitha trojeve shqiptare, shprehimisht thuhet: ”ALFABETI UNIK, PROVON SE KOMBI YNË ËSHTË BËRË NJË SI KOMB… AI, DO TË NA NDIHMOJË EDHE PËR PËRPARIMIN E VENDIT TONË NË FUSHËN EKONOMIKE, POLITIKE…”

Ndonëse në kushte gjysmë ilegale, pa mjete financiare dhe mes një varfërie të thellë, mjaft prej klubeve apo rretheve patriotike të kohës iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Klubit të Manastirit. Ata parashihnin tek “Bashkimi” i Manastirit, krahun e fuqishëm që do të shërbente si shtizë flamuri, e atij flamuri që thërriste të gjithë shqiptarët, nën himnin madhështor për abecenë e tyre. Ngase këto përgjigje ishin tepër të sakta dhe të zjarrta, përfaqësuesit e klubit “Bashkimi” në Manastir, vendosi që pas datës 10 nëntor 1908, në qytetin e tyre, të nis punimet ky kongres për njësimin e alfabetit.

Në Kongresin e Parë të Manastirit, morën pjesë 52 delegatë të shoqërive, klubeve dhe organeve kombëtare të shumicës më të madhe të trevave shqiptare dhe të kolonive shqiptare të jashtme, shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës e mësues të shqipes, veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, si Mit’hat Frashëri, At Gjergj Fishta, Fehmi Bej Zavalani, Sotir Peci, Selahetin Beu, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Mihail Grameno, Shefqet Frashëri, Sami Pojani, Gligor Cilka, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Emin Beu, Afëz Ibrahim Efendiu etj.

Kongresin e hapi Fehmi Zavalani, në cilësinë e kryetarit të përhershëm të Klubit “Bashkimi” të Manastirit, që ishte iniciator për thirrjen e kongresit mbarëkombëtar. Nga ana e delegatëve të pranishëm, që kishin autorizim votimi, për kryetar të kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa kryetar nderi u zgjodh shkëlqesia e tij Hivzi Pasha.

Kongresi, punën e Alfabetit ia besoi KOMISIONIT i përbërë nga 11 anëtarë, në të cilin merrnin pjesë: Gjergj Fishta (kryetar), Luigj Gurakuqi (nënkryetar), Mit’hat Frashëri, Gjergj Gjiriazi, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Taqi Buda, Sotir Peci, Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni dhe Glogor Cilka, që ishin përfaqësues të tre alfabeteve kryesore, që ishin në përdorim. Pas mjaft diskutimesh, u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të cilit plotësoheshin me nëntë diagrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) me dy shkronja me shenja diaktrike (ç, ë). Së fundi komisioni dhe kongresi vendosën që të lejohej përdorimi si i Alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë ndër shqiptarë, ashtu edhe i alfabetit të ri. Dy alfabetet e pranuara ndryshonin vetëm në shtatë shkronja. 

Nuk kaloi shumë kohë dhe populli e përqafoi Alfabetin e ri të Kongresit të Manastirit, sepse ishte një alfabet homogjen dhe më praktik për përdorim. Kur me këtë alfabet, më 28 Nëntor 1912, u shkrua edhe Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, njëherë e përgjithmonë i’u dha fund kësaj odisejade të alfabeteve të gjuhës shqipe. StrugaLajm

Vendimet e Kongresit, që ishin kurorëzim i veprimtarisë së shtjelluar nga shumë breza lëvruesish të shqipes dhe i përpjekjeve të pandërprera për afrimin e njësimin, u pritën me gëzim dhe u vunë menjëherë në zbatim. Brenda pak vitesh alfabeti i krijuar nga kongresi, që është alfabeti ynë i sotëm, mori përsipër dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes.

Kongresi i Parë i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi. Gjatë ditëve të Kongresit u organizuan takime të veçanta e mbledhjeve të mbyllura me delegatët më të vendosur dhe me pikëpamje më të përparuara. Në to u rrahën probleme të mprehta politike. Bisedimet e zhvilluar shërbyen për të afruar pikëpamjet, për të përcaktuar platformën politike të përbashkët si dhe për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre. Pavarësisht debateve të shprehura në ato takime të fshehta, në ditët e mbajtjes së Kongresit të Manastirit, u shtruan në diskutime të veçanta edhe mjaft situata që lidheshin drejtpërsëdrejti me fatet e shqiptarëve. Krejt këto takime të delegatëve me kongresistët përparimtarë e demokratë, zhvilloheshin në shtëpinë e Gjergj Qiriazit, njërit prej atdhetarëve të shquar shqiptarë, në rrafsh të alfabetit të gjuhës shqipe. Sipas të dhënave që jep lidhur me këto takime, konsulli italian i asaj kohe në Manastir çështjet që tratojeshin në këto takime të fshehta ishin:

  1. Njohja zyrtare e gjuhës dhe kombësisë shqiptare;
  2. Zhvillimi i kulturës dhe arsimit në viset shqiptare;
  3. Qëndrimi ndaj Portës së Lartë dhe mos besimi ndaj turqve të rinj, si dhe dënimi i ndërhyrjes së shteteve të huaja në punët e brendshme shqiptare;
  4. Shqiptarët të kryenin shërbimin ushtarak në vendet ku shërbimi do të zgjaste 2 deri 2,5 vjet;
  5. Në viset shqiptare të emërohen nëpunësit shqiptarë etj.

Burimet kryesore të njohura deri më sot, dëshmojnë për faktin se në thelb këto kërkesa u miratuan prej kongresistëve, ashtu si edhe ato për përdorimin e alfabetit. Për më tej, këto kërkesa dhe bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare e për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre. Me këtë rast u hartua edhe një plan kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikash, që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonja për ta paraqitur në Parlamentin e Stambollit në emër të shqiptarëve. Pra, kongresi u përpoq që ta ngrinte në një shkallë më të lartë Lëvizjen Kombëtare. Parë në këtë rrafsh, shtëpia e Gjergj Qiriazit, u kthye në një “sallë” tjetër kuvendi, idetë e së cilës u përcollën në tërë trevat shqiptare dhe në të cilën diskutohej mbi reformuar në kohëra tepër të errëta. Lëvizja madhore e kryengritjeve shqiptare në vitet 1910-1912, rrëfyen se në themel të programeve e betejave të zhvilluara patën pikërisht këto ide të atdhetarëve të Manastirit, të tubuar në Kongresin e A-B-C-së shqiptare. Fakti është që sa herë kujtohen ditët e këtij kongresi, natyrshëm vinë ndërmend edhe përpjekjet autonomiste të atdhetarëve tanë për të mos e ndarë pushkën nga pena për asnjë moment.StrugaLajm

Vendimet e Kongresit të Manastirit, që më vonë hyri në histori me emrin Kongresi i Alfabetit, ishte kurorëzimi i veprimtarisë së shumë brezave lëvruesish të shqipes dhe përpjekjeve për afirmimin e njësimin e gjuhës shqipe e të kombit shqiptar. Kjo ishte një e arritur e madhe kulturore dhe politike, që u ndihmoi ngjarjeve në prag të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar në kuvendin historik të 28 Nëntorit 1912.

Sot shikuar nga një distancë kohore njëshekullore, mund të vlerësojmë se sa largpamës kanë qenë hartuesit e këtij alfabeti dhe delegatët e kongresit, që na mundësuan të kemi një formë të prerë dhe një unifikim të qartë e të rrjedhshëm të shqipes së shkruar letrare.

Zgjidhja e problemit të alfabetit kombëtar vonoi, por përfundoi me sukses të plotë. Kjo u mundësua me punë të vazhdueshme nga një plejadë personash të ditur, me vështrimin e çështjes me atdhetarizëm e nën dritën e përkatësisë evropiane të kombit shqiptar, dhe me objektivitet shkencor, me kompromisin e veprimtarëve, me angazhimin plot sakrifica të intelektualëve e gjuhëtarëve të kohës.

Rëndësia e Kongresit të Manastirit, është e shumanshme: në radhë të parë për kulturën shqiptare, për gjuhën letrare shqipe, për lëvrimin shkencor e letrar të gjuhës, për zhvillimin e arsimit kombëtar. Kongresi i Manastirit është i pari kongres shkencor gjuhësor i mirëfilltë kombëtar shqiptar i mbajtur në trevat shqiptare. Së dyti, Kongresi i Manastirit ka rëndësi edhe për historinë politike të Shqipërisë. Është thënë me të drejtë se vetë çështja e alfabetit përbënte një problem të mprehtë politik. Alfabeti kombëtar i shqipes, qofshin këta përkohësisht edhe dy, mënjanoi gjendjen kaotike në shkrimin e shqipes, formoi unitetin kombëtar të shqiptarëve, shprehu qartë para botës qenien e kombit shqiptar si komb më vete, e shkëputi njëherë e mirë Shqipërinë nga Orienti (Lindja) dhe nga synimet shkombëtarizuese të Turqisë e të vendeve të tjera dhe e lidhi njëherë e përgjithmonë atë me Oksidentin (Perëndimin), me Evropën e vendet më të përparuara të saj, së cilës edhe i përkiste.

Përveç kësaj, Kongresi i Manastirit, duke qenë Kuvend i Dytë gjithëkombëtar pas Lidhjes së Prizrenit ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejt edhe në luftën politike çlirimtare të popullit shqiptar në formulimin e kërkesave të Lëvizjes Kombëtare, për njohjen zyrtare të kombësisë dhe të gjuhës shqipe, të bashkimit kombëtar, themelimin e shkollës kombëtare shqipe, organizimin e bashkërendimin e veprimeve etj. 

Pikërisht këtu qëndron rëndësia politike e Kongresit të Manastirit. Por, diskutimet e tilla, që mbështesnin fillimisht alfabetin e Stambollit, apo të Shoqërisë së “Bashkimit”, të “Agimit”, apo një tjetër alfabet latin, si dhe diskutimet për mënyrën e plotësimit të shkronjave që i mungonin alfabetit latin etj., ishin çështje të mirëfillta shkencore, e nuk kishin karakter politik. Këto çështje janë parë ndonjëherë shtrembër, duke i ndërthurur pa asnjë bazë me interes fetar, klanor a krahinor ose me agjentura të huaja.

Shikuar sot nga një distancë kohore një shekullore, mund të vlerësojmë se sa vizionarë dhe të një niveli të lartë kanë qenë hartuesit e këtij alfabeti dhe delegatët e kongresit, gjë që shihet në të arriturat si në kulturë, ashtu edhe në arsimin shqip.

Prandaj, ne sot u jemi mirënjohës të gjithë atyre që me punën e tyre kontribuan në aprovimin e Alfabetit mbarëkombëtar të gjuhës shqipe në kohën kur Shqipëria ende ishte nën sundimin Osman dhe me këtë bëhej me dije se edhe formimi i shtetit shqiptar po dukej në horizont më 28 nëntor 1912.

Komisioni i Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe


Loading...
loading...