Koroshishta e Strugës simbol i formësimit të historisë
Albnora Musa
Vetëm pak kohë pas fillimit të gërmimeve arkeologjike në Koroshishtë të Strugës duket se është gjetur inventar i rëndësishëm që tregon qartazi se ka vazhdueshmëri jetese që nga antikiteti e deri në ditët e sotme!
Sipas informacioneve të para pretendohet që materiali i gjetur i takon shek. VI p.e.s dhe përkon me fisin e enkelejve! Në brendësi të materialeve mësohet se është gjetur varr mbretëror, armë, përkrenare dhe gjëra të tjera me vlerë për kulturën tonë, numri i artifakteve mësohet të jetë rreth 80 gjithsej!
Kjo shihet edhe si një motiv shtysë që në vitin e ardhshëm të realizohet edhe një ekspeditë e dytë dhe pritet të ketë gjetje akoma dhe më të mëdha.
Gërmimet po realizohen nga një grup arkeologësh nga Shkupi, nën kryesinë e një arkeologu nga Ohri por siç po shihet edhe në fotografi ndonëse në pension në krye po qëndron Pasko Kuzman, kurse arsyetimi ishte se qëndronte si vizitor i thjeshtë.
Ndonëse ekspedita u realizua në territoret tona, mendimi profesional nga ana shkencore e historianëve shqiptar vazhdon të mos përfillet fare.
Një detaj që duhet të jetë në vëmendje edhe e të gjithë atyre që posedojnë media sociale dhe si zakonisht për cdo gjë shenjestër janë historianët dhe kinse mosinteresimi i tyre, besoj se jeni mjaftueshëm të ndërgjegjshëm për hapsirën që ju është dhënë qoftë arkeologëve shqiptar në pjesmarrje të ekspeditave dhe qoftë e historianëve për të interpretuar dhe mbrojtur këto zbulime.
Materialet e gjetura veçse ishin dorëzuar në Ohër dhe së shpejti pritet që stacioni i tyre përfundimtar të jetë Shkupi e prej aty, të shpresojmë se mos kenë fatin e maskave të Dollogozhdës.