Koroshishta kërkon dinjitet

Qani Jusufi
Në Muzeun Arkeologjik të Shkupit një dhomë e tërë iu dedikua Koroshishtës, aty ku shkëlqenin artefaktet e gjetura në varrin me përmasa (7 x 4.5 m) – më i madhi në rajon dhe ndër më të mëdhenjtë në Europë. Ato përfshinin periudha të tëra historike, që nga koha e gurit, drurit e metaleve, e deri në shekullin VI. Mbi 100 objekte të ekspozuara, secila e shoqëruar me shpjegimin përkatës, dëshmonin për pasurinë e trashëgimisë së Koroshishtës sonë.
Por ajo që bie në sy dhe lë shije të hidhur është mungesa e gjuhës shqipe në shpjegimet e ekspozitës. Një neglizhencë e tillë nuk është vetëm lëshim teknik, por edhe tregues i mungesës së respektit institucional për identitetin kulturor të shqiptarëve. Po aq e dhimbshme ishte edhe mungesa e politikanëve tanë – si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita – të cilët për të disatën herë këto ngjarje i konsideruan si humbje kohe.
Kjo qasje e mospërfilljes është një tradhti ndaj vetë trashëgimisë sonë. Nëse klasa politike nuk e sheh të arsyeshme të mbrojë e të promovojë historinë e Koroshishtës, atëherë detyra bie mbi komunitetin, mbi njerëzit që e duan vendin dhe mbi vizionarët që besojnë në vlerën e kulturës.
Mendimi dhe propozimi im është ky:
- Fshati Koroshishtë duhet të ketë një logo me vlera artistike, të frymëzuar nga artefaktet e gjetura, që ta përfaqësojë identitetin e tij historik.
- Të krijohet një vulë zyrtare, me peshë kulturore e administrative, që të kthehet në shenjën dalluese të fshatit.
- Të ngrihet një përmendore ose memorial arkeologjik në vetë fshatin, ku të shkruhet e të shpjegohet historia e gjetjeve, duke e lidhur trashëgiminë me banorët dhe vizitorët.
- Të hapet një mini-muze lokal, ku të ekspozohen artefaktet e gjetura në vendngjarje. Ky hap do të sillte jo vetëm njohje e krenari kulturore, por edhe zhvillim ekonomik përmes turizmit kulturor.
Nëse këto hapa realizohen, Koroshishta nuk do të mbetet vetëm një vendbanim me histori, por do të shndërrohet në qendër kulturore e turistike të Strugës. Kjo do të japë vlerë banorëve, krenari komunitetit dhe, mbi të gjitha, do të ruajë e promovojë trashëgiminë tonë për brezat që vijnë.
Politikanët e tanishëm e tradhtuan Koroshishtën. Ata që do të vijnë në zgjedhjet e ardhshme duhet të kenë plan e program serioz për fshatin dhe për pasuritë e tij arkeologjike – ndryshe do të jenë të njëjtë, pjesë e harresës dhe mospërfilljes.
.gif)




























