Koroshishti nxorri në sipërfaqe thesarin e kulturës ilire!
“Në Koroshisht të Strugës u zbulua një nekropol i periudhës arkaike, shekulli VI p.e.s., kështu e thotë Ministria e Kulturës dhe nga Muzeu arkeologjik i Shkupit, por edhe Muzeu i Ohrit.
Aty gjetën 80 objekte nga dy varre, ku kishte helmetë të bronzit, unaza ari, enë të ndryshme, fletë metalike prej ari, etj”, përcjell INA.
Këto ditë Koroshishti i Strugës ishte në qendër të vëmendjes së opinionit shqiptar, ku nga gërmimet arkeologjike në atë nekropol janë gjetur afro 80 artefakte nga dy varre, si pjesë të trashëgimisë historike të kulturës ilire dhe të shqiptarëve si pasardhësve të tyre.
Ndërsa Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov theksoi se bëhet fjalë për një nekropol të periudhës arkaike, por nuk ia zuri goja ta thotë se bëhet fjalë për kulturën ilirie të këtij rajoni të banuar nga fiset ilire si enkelejt dhe dasaretët.
Kurse arkeologu strugan, Fitni Dalipi thotë se artefaktet i takojnë fisit Ilir të Enkelejdëve, të cilët kanë banuar në krahinat përreth liqenit të Ohrit e që kanë krijuar dinastinë e parë të mbretërisë Ilire në fund të shekullit 5 para Krishtit.
Nga ana tjetër pushteti sllavo-maqedon mundohet t’i jap një kahje tjetër këtij zbulimi arkeologjik, duke e quajtur atë si rast i mirë për turizmin e “drzhavës” dhe vizitorët nëpër monumente historike si nekropoli i Koroshishtit pa e identifikuar atë si pjesë të kulturës ilire.
Edhe pas tri dekash të liberalizimit nga sundimi titist, “demokracia” e re sllavo-maqedone e ka te vështirë ta pranojë të vërtetën historike mbi Ilirinë dhe trashëgiminë historike të nëntokës së saj, ku shqiptarët autokton në këto troje janë pasardhës direkt të fiseve ilire.
Prandaj, është momenti i fundit që arkeologët sllavo-maqedonë të përcaktohen dhe të japin një konkluzion se cilës kulturë i takojnë ato artefakte, pasi flitet për një periudhë prej 2500 vitesh, që përkon me periudhën kohore dhe shtrirjen gjeografike të vendbanimeve ilire dhe kulturën e tyre.
Fakti që fiset ilire enkelej dhe dasaret kanë banuar në këtë rreth të gjerë si Struga, Ohri dhe Pogradeci në këtë periudhë kohore i vë arkeologët dhe historianët para përgjegjësisë, për ta thënë të vërtetën historike për trashëgiminë ilire në këtë rreth, duke mos mbajtur anën e pushtetit i cili nuk do që të konfirmohet autoktonina shqiptare në këto troje.
Medai Shaholli