
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strugë organizoi një pritje të veçantë për pjesëmarrësit e manifestimit dyditor kulturor e shkencor.
Konsulli i Përgjithshëm, z. Agim Krasniqi, mirëpriti poetë, shkrimtarë dhe studiues nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët gjatë dy ditëve kontribuuan me krijimet dhe kumtesat e tyre në mbrëmjen poetike dhe tryezën letrare të organizuar në Strugë.
Në mesin e të ftuarve ishin Ibrahim Berisha, Binak Kelmendi, Sali Bashota, Naime Beqiraj, Xhemi Hajredini dhe Emin Azemi, të cilët u pritën në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore në ambientet e Konsullatës.
Gjatë takimit u diskutua për çështje aktuale që preokupojnë shoqërinë shqiptare, me theks të veçantë në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Konsulli Krasniqi përgëzoi pjesëmarrësit për angazhimin e tyre dhe uroi festën e përbashkët të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Një moment domethënës ishte dhurimi i librave nga krijimtaria e pasur e autorit strugan Xhemi Hajredini, i cili ndau botime për kolegët nga Kosova si shenjë respekti dhe bashkëpunimi kulturor.
Aktiviteti u përmbyll me një fotografi para pllakës memoriale të ngritur nga Konsullata, në shenjë mirënjohjeje për Strugën dhe qytetarët e saj për mikpritjen dhe përkujdesjen ndaj të dëbuarve nga lufta e vitit 1999 në Kosovë.
































