Për kreditë pa interes që Qeveria ia ofroi biznesit do të aplikojnë vetëm kompanitë që para krizës kanë punuar në mënyrë solide. Ato kompani që kanë pasur probleme me likuiditetin, kanë pasur vështirësi në pagimin e pagave, kanë shumë kredi dhe vështirë ta tejkalojnë krizën, nuk do të kërkojnë para të tilla, thotë për Alsat Angell Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.
Nëse bëhet fjalë për tejkalimin e një periudhe të vështirë, një muaj, dy ose tre për një kompani që nuk është shumë e zhytur në kredi, sigurisht që këto kredi pa interes do të ndihmojnë për tejkalimin e kësaj periudhe disa muajshe. Dhe pastaj të vazhdojnë me prodhimin ose shërbimet e rregullta të ofruara nga kompania. Por nëse kompania ka qenë në vështirësi financiare edhe para se këto masa të rënda të hynin në fuqi dhe nuk ka mundur t’i paguajë pagat, ajo nëse nuk ka kapital të mjaftueshëm, nuk besoj se do të marrë kredi të reja”-pohoi Angel Dimitrov Organizata e Punëdhënësve.
Para dy ditëve, ministrja e financave Nina Angellovska në profilin e saj në Facebook publikoi se në seancë qeveritare është miratuar linjë e re kreditore prej 8 milionë euro, kredi pa normë interesi. Paratë do të destinohen për kompanitë e goditura nga kriza. Tani pritet të publikohet edhe thirrja e dytë publike për aplikimin për kreditë në fjalë.
Vlen për të Gjitha kompanitë e prekura. Shuma minimale e kredisë është 3000 euro kurse ajo maksimale 90.000 euro. Shuma e kredisë përcaktohet sipas numrit të punëtorëve përfshirë datën 31.1.2020, që përmendet në deklaratë gjatë aplikimit, shumëzohet me numrin e punëtorëve, ku llogariten maksimum tre muaj”-tha Nina Angellovska- ministre e Financave.
Kreditë për të cilat shteti nuk kërkon normë interesi nga biznesmenët kanë afat kthimi prej 3 viteve, me grejs- periudhë prej 12 muaj. Si kusht për marrjen e këtyre fondeve është që kompanitë të kenë të ardhura më të ulëta për mbi 30%, si pasojë e krizës. Kompania të jetë e regjistruar më shumë se 6 muaj, të mos jetë në proces falimentimi apo likuidimi. Në thirrjen e parë për këto kredi, në dispozicion u vunë mbi 1 milionë euro ndërsa qindra kompani fituan ndihmë nga shtetit. Një pjesë e afaristëve tashmë dolën me ankesa se nuk kanë nevojë për kredi të reja sepse më shumë se 1 muaj i kanë bizneset e mbyllura dhe nuk kanë si t’i paguajnë këstet e kreditë të mëparshme.