Kriza ndikon edhe te mërgimtarët

Në Maqedoni nga viti në vit ulet vlera e transfereve private, ku pjesën më të madhe e përbëjnë të hollat që mërgimtarët dërgojnë në vendlindje. Këtë e vërtetojnë edhe të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë, të cilat tregojnë ulje prej 19.7 për qind  pjesëmarrje të transfereve private në mars të vitit 2012, në 14.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mars të vitit 2017, shkruan gazeta KOHA. Me fjalë të tjera, nëse përllogarisim se Prodhimi i Brendshëm  Bruto në Maqedoni në vitin e kaluar ishte afër 9 miliardë euro, atëherë del se janë zvogëluar remitancat si vlerë  prej afër 5  për qind e transfereve private, apo diku afër 450  milionë euro.

Ekonomistët thonë se ekzistojnë  më shumë shkaqe të uljes së dërgesave të mërgimtarëve nga jashtë, duke filluar nga ato që lidhen me integrimin e tyre në përditshmërinë e jetesës në shtetet e Evropës perëndimore, por edhe kriza politike në Maqedoni, që nuk i motivon ata të investojnë dhe kursejnë në vendlindje. Sipas profesorit universitar Neritan Turkeshi, nuk duhet të harrohet se 25 vite që nga pavarësia e Maqedonisë si shtet, remitancat e mërgimtarëve, edhe atë kryesisht atyre shqiptar, mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë dhe janë faktori kryesor i stabilitetit të saj social dhe ekonomik. Ai shton se kjo dëshmohet si me konsumin e tyre gjatë muajve të verës, por edhe dimrit me blerjen e banesave apo ndërtimin e shtëpive si dhe pajisjen e tyre me orendi të ndryshme, aparate të teknikës së bardhë e kështu me radhë. Pastaj janë  edhe ahengjet e shumta familjare, ku shpesh vetëm për një dasmë harxhohet mesatarisht nga 20-30 mijë euro. Këtu nuk bën përjashtim edhe blerja e patundshmërive të ndryshme, qofshin ato dyqane, toka bujqësore apo ndërtimi. Gjithashtu, edhe pse në përmasa më të vogla, vijon dërgesa e parave për familjarët e mbetur këtu, si formë e ndihmës për mbulimin e harxhimeve jetësore.

DERI NË 600 MILIONË EURO REMITANCA NË VIT

“Kur flasim për remitancat duhet theksuar se në vlerën prej afër 2 miliardë euro të transfereve private në nivel vjetor, këtu hynë edhe vlera e së paku 500 deri 600 milionë euro e remitancave, ku dominojnë prurjet e mërgimtarëve shqiptar, për shkak se ata janë shumë më të lidhur për vendlindjen në raport me mërgimtarët e tjerë nga Maqedonia. Gjithashtu duhet theksuar se në vitet e fundit, diku 60-70 për qind e remitancave kryesisht harxhohen për konsum, gjegjësisht për mbulimin e harxhimit mujor për ushqime dhe pagesën e komunaleve të familjarëve të mërgimtarëve që jetojnë në Maqedoni”, thotë për KOHA, Turkeshi. Sipas tij, në uljen e remitancave në vitet e fundit kanë ndikuar më shumë faktorë, duke filluar nga bashkimi familjar, ngërçi politik në periudhën e fundit, që ka shtyrë mërgimtarët të hezitojnë të kursejnë dhe investojnë në vendlindje, por edhe në blerjën e banesave apo shtëpive nga ana e një pjesë të mërgimtarëve në shtetet e jashtme. “Në periudhën e kaluar, por edhe aktualisht, mërgimtarët me remitancat që dërgojnë zbusin gjendjen sociale në vendlindje, si dhe kanë dhënë por edhe ende japin një kontribut të papranuar dhe të paçmueshëm prej shtetit, edhe pse ndikojnë në stabilitetin makroekonomik, duke ruajtur bile edhe kursin e denarit. Gjithashtu, të hollat e tyre kanë ndikim të madh për ekonominë për shkak Maqedonia është shtet që më shumë importon se sa eksporton,  andaj deficitin e madh tregtar në një pjesë të konsiderueshme e mbulojnë edhe të hollat e mërgimtarëve. Andaj  si shtet u kemi borxh dhe detyrim mërgimtarëve, të kemi një qasje më proaktive ndaj tyre duke u ofruar qoftë mundësi,  por edhe siguri  për investime, duke mos i maltretuar në kufi apo për nxjerrjen edhe të një dokumenti  më të  thjeshtë”, vlerëson Turkeshi.

150 MIJË FAMILJE NDIHMOHEN NGA MËRGIMTARËTStrugaLajmStrugaLajm

Llogaritet se në Maqedoni së paku 150 mijë familje marrin mbështetje të rregullt nga familjarët e tyre që punojnë jashtë, ndërsa shuma prej së paku 500 milionë eurove për çdo vjet, jo vetëm që mbulon një pjesë të konsiderueshme të deficitit tregtar të Maqedonisë, por siguron edhe ekzistencën e këtyre familjeve dhe stabilitetin makroekonomik të shtetit. Ekonomistët shpjegojnë se në të ardhurat sekondare të shtetit apo dërgesat e devizave që i përllogarit si transaksione financiare, hyjnë edhe dërgesat e mërgimtarëve, të hollat që këmbehen në këmbimore, transferet e tjera private si dhe ndihmat që fiton shteti nga jashtë.

Analiza e strukturës së mërgimtarëve shqiptarë në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, tregon se dy shtetet e para që dikur ishin pjesë e ish shtetit jugosllav kanë një numër të madh të mërgimtarëve që nga viteve 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, ndërsa Shqipëria më së shumti kë mërguar pas viteve 90-të, ku vetëm në Itali dhe Greqi llogaritet se ka mbi një milion shtetas shqiptar të inkuadruar në tregun atjeshëm të punës. Në ndërkohë, analizat e Institutit financiar “Finance Think”, tregojnë se Maqedonia në vit fiton të paktën 400 milionë dollarë në formë të remitancave në para të gatshme, të cilat paraqesin rreth 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të llogaritura vetëm si dërgesa të dërguara përmes kanaleve zyrtare, ndërsa llogaritet se shuma e tyre është së paku dyfish më e madhe, nëse kihen parasysh edhe kanalet jozyrtare të dërgesës së parave. Përderisa në Maqedoni po ulen dërgesat e mërgimtarëve, Shqipëria dërgesat i ka stile, kurse Kosova shënon edhe rritje. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se dërgesat e emigrantëve në ekonominë shqiptare për vitin e kaluar arritën në 615 milionë euro, ose 17 milionë euro më shumë se në vitin 2015. Nga ana tjetër, fluksi i dërgesave të emigrantëve të huaj në Kosovë ka shkuar deri në 691 milionë euro në vitin 2016, krahasuar me 665.5 milionë euro në vitin 2015. Edhe në këto shtete, vlera e remitancave është edhe më e madhe nëse përllogariten të hollat që dërgohen në mënyrë jozyrtare .StrugaLajm

REMITANCAT 2016

Maqedonia: 400 milionë euro

Kosova: 700 milionë  euro

Shqipëria: 500 milionë euro

In : Aktuale

Loading...
loading...