Kroacia me euro, ne me plehra!

A munden partitë të bëjnë shkëputjen nga politika arkaike, e odave, a mëhallave, në politikanë vizionarë, të edukuar e që besojnë në idenë e zhvillimit? Sigurisht instinkti juaj po dhe i imi,me çka po shohim, do thotë: JO! Dhe me të drejtë. Duke menduar për Kroacinë dhe futjen e saj zonën e euros dhe arritjen e saj nga vetëm 2013 e deri më 2019, pra për vetëm për 6 vjet, po kaloja rrugëve të Çairit, të pista, turpërisht të pista, të pa pastra

Nga Nazim RASHIDI

Lexova se Kroacia ka marrë hapa që t’i bashkohet monedhës së përbashkët evropiane Euros. Tashmë për të gjithë ato breza që kanë një referim me Kroacinë, si një vend shembull, apo dhe si një vend me të cilin është bashkëjetuar, ky referim do të humbasë. Edhe ky vend ballkanik do të ikë më larg, diçka si Sllovenia, që nuk përmendet ose përmendet fare pak. Pra nëse Kroacia dukej disi e ngjashme, me luftërat që kaloi, me nacionalizmat, me tensionet e saja të brendshme, me korrupsionin, me aferat e kryeministrit Sanader, me tentativën e tij për të ikur… nga njëra anë, por dhe progresi që duket nga jashtë, zhvillimi, sukseset në fusha të ndryshme, mbase për shumë ishte një model se edhe ne më poshtë Kroacisë, mund t’ia dalim.

Por, a është ashtu? Procesi i përfshirjes në zonën e euros, zgjat disa vite. Fillimisht një vend përfshihet në atë që quhet Mekanizmi Evropian i Vlerave Monetare, që praktikisht është dhoma e pritjes për në zonën e euros. Zagrebi shpreson se do të përfshihet në këtë mekanizëm në mes të vitit 2020 dhe të lërë monedhën e saj Kuna, për të adoptuar Euron për më së paku pas tre vjetësh.

Në letrën dërguar institucioneve të BE-së, Kroacia ka prezantuar masat që do marrë para hyrjes në zonën e Euros. Por ajo që dua të theksoj është se në letër thuhet se aplikimi u bë i mundur pas “përmirësimit të konsiderueshëm në zvogëlimin e mungesës së masave makroekonomike”. Me fjalë të tjera, Kroacia ka bërë një rimëkëmbje ekonomike, ka rritur eksportin, ka zvogëluar papunësinë, ka pasur përmirësime konstante fiskale si dhe zvogëlim të madh të huave të huaja. Apo thënë dhe më qartë, është shndërruar në një vend të zhvilluar ekonomik. Pra, edhe pse mund të jesh pjesë e BE-së, që të jesh pjesë e Euros, duhet të plotësosh një sërë masash ekonomike dhe financiare. Kjo nënkupton zhvillim, por dhe një vazhdueshmëri në marrjen e masave pavarësisht se kush vjen e kush ikën nga politika.StrugaLajm

Kroacia duket se e ka bërë këtë sepse, aplikimi për të qenë pjesë e Euros është strikt dhe nuk është vetëm dëshirë. Ja dhe disa parametra ekonomik. Sepse shifrat nuk gënjejnë. Kroacia u bë pjesë e BE-së në vitin 2013, por ekonomia e saj ishte një nga më të dobëtat e bllokut. Në marrëveshje me institucionet evropiane Kroacia ra dakord që të ndërmarrë reforma të konsiderueshme në reformimin e administratës, sidomos të zvogëlojë barrën financiare që i kushtonte administrata që kishte ndikim edhe në ekonomi. Pra ajo u zvogëlua. Sigurisht dhe masa të tjera që çuan në rritjen e ekonomisë. Sot rroga mesatare është 870 euro. I përmend gjithë këto fakte, sepse ka dhe një element në gjithë këtë sukses dhe “shkëputje” të Kroacisë nga Ballkani.

Dëshira e madhe për të qenë pjesë e BE-së. Besimi tek ideja e BE-së. Besimi për arritjen e synimit për të qenë pjesë e BE-së. Si në çdo vend, Kroacia ka pasur disa qeveri, madje edhe kriza qeveritare, sidomos akuzat e ngritura ndaj Sanaderit, apo dhe arrestimi tij. Por ideja e Evropës, me sa duket, bazuar nga rezultatet, ka qenë aty tek të gjithë. Betejat politike, retorikat e ashpra, përplasjet duket se nuk kanë lëkundur paktin e të gjithëve, atë pakt që mund të quhet si interes i përbashkët, integrimin në BE, me çka po rezulton se edhe me ndryshime të qeverive Kroacia vetëm për pak vjet duke qenë pjesë e BE-së tani po bën përparime dhe do të jetë pjesë e zonës së Euros.StrugaLajm

E di, mbase leksione kemi marrë plot. Por sërish nuk i evitojmë, ose të paktën unë, nuk mund e mos i theksoj sepse synimi i shoqërisë tonë për parim, sa vjen e zbehet. Kjo zbehje është e lodhshme më. Aq më shumë se nuk shohim një konstante për idenë e zhvillimit. Betejat mes qeverisë dhe opozitës duken përplasje banale interesash. Maqedonia e Veriut kaloi një dhjetëvjeçar problematik si për ekonominë ashtu dhe për demokracinë. Dhe tani kur lexon se Kroacia do bëhet pjesë e Euros, për dhjetëvjeçar, dyshimet e idealeve tona vërtet vihen në dyshim. Idealeve të partive e kam fjalën që kanë në dorë institucionet. Për 10 vjet Kroacia do ketë Euron monedhë, për 10 vjet ne na mbeti baroku fallco dhe përgjimet si arritje. Pra sado që shembujt të jenë të mërzitshëm, them se duhen përmendur për të marrë modele e për të parë se edhe ia dilet, por kur realisht besohet te një ide.

Kjo hap pyetjen tjetër: E bëjmë dot ne si brez, apo dhe si shoqëri, thyerjen e madhe? Pra ndryshimin e modelit të politikanit. A munden partitë të bëjnë shkëputjen nga politika arkaike, e odave, a mëhallave, në politikanë vizionarë, të edukuar e që besojnë në idenë e zhvillimit? Sigurisht instinkti juaj, po dhe i imi,me çka po shohim, do thotë: JO! Dhe me të drejtë. Duke menduar për Kroacinë dhe futjen e saj zonën e euros dhe arritjen e saj nga vetëm 2013 e deri më 2019,pra për vetëm për 6 vjet, po kaloja rrugëve të Çairit, të pista, turpërisht të pista, të pa pastra.

Këtë e bëjmë të gjithë. Ne njerëzit për pakujdesinë, por sidomos institucionet, komunat, ndërmarrjet që se bëjnë punën e tyre. Dhe normal, si të besojmë te ideja e zhvillimit kur asgjë rreth nesh nuk jep shpresë. Por ku është zgjidhja? Zhgënjimi dhe depresioni që vjen nga politika do ketë shpërthimin e tij. Ndryshimi i klasës politike, apo ndryshimi i politikës, apo… ikja siç po ndodh. Është koha e rivizitimit të politikës e politikbërjes. Për disa mbase dhe zbulimi i saj, që duhet të ketë për bazë atë qëllim naiv në dukje për politikanët e sotëm: të mirën e përgjithshme dhe zhvillimin. Që po në esencë do të duhet të fillojë me pastrimin e rrugëve.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...