Kronika e zezë në bashkëekzistencë mediale

Mr. Hamdi Nuhiju

Hyrje

Koha në të cilën po jetojmë ka dëshmuar qartë për transformimin e madh të informacioneve dhe sjelljeve të njerëzve. Ndryshimet teknologjike dhe zhvillimi i hovshëm i medieve ka sjell botën e informacioneve nga katër anët e globit në duart e njeriut. Tashmë vetëm me një klik mund të informohesh për ngjarjet më të ndryshme në cepin më të thellë të globit duke mos  harxhuar mund dhe kohë për gjurmim. Informacioni është përzier dhe përlyer së tepërmi me dezinformimin saqë pjesa e dytë është shndërruar në fenomen modern. Njerëzit, shtetet, qeveritë, institucionet e ndryshme ndërkombëtare kanë probleme serioze me lajmet e rreme dhe qasjen ndaj tyre.

Profesori universitar Vladimir Shtambuk nga Fakulteti i shkencave politike në Universitetin e Beogradit jep interpretime të ndryshme për atë se si duhet kuptuar mediet.

“Problemi me përcaktimin e termit media është aty që ai jo vetëm që është tepër i rëndësishëm por ka edhe disa përdorime triviale të cilat në masë të madhe e ndërlikojnë jo vetëm përcaktimin e atij termi, por paraqesin edhe pengesa serioze në komunikim.”[1], shkruan Shtambuk.

Shtambuk përcjell mendimin se mediet kanë rrole dhe detyra të ndryshme, ndërsa tradicionalisht definicioni më i përdorshëm është ai se mediet janë bartëse të informacioneve.

Përskaj një bote pafund të definicioneve dhe përcaktimeve akademike dhe shkencore të përdorimit të medieve nga ana e njerëzve dhe ekzistencës së informacioneve, problem thelbësor në kohën moderne është bërë edhe përdorimi ose keqpërdorimi i fatkeqësive dhe ngjarjeve me ngjyrime krimi për të rritur efektet komerciale në një treg të pamëshirshëm.

Kronika e zezë është bërë e domosdoshme në ofertën mediale. Thuajse as që guxohet të mendohet krijimi i një platforme mediale pa ekzistencën e kronikës së zezë. Por, efektet psikologjike dhe sociale që nxiten me përkushtimin e medieve ndaj kësaj rubrike janë shndërruar në pjesë e debateve akademike midis qarqeve të ndryshme.

Etika profesionale është vënë në sprovë përballë fluksit të madh të informacioneve të përditshme nga bota e kronikës së zezë. Deri ku janë kufijtë? A kanë të drejt mediet të publikojnë dhe të informojnë për gjithçka, apo ndoshta duhet ruajtur etika profesionale duke respektuar disa norma dhe parime njerëzore?

Efekti social dhe psikologjik

“Kronika e zezë është shprehje e cila me rëndësinë e saj definon rubrikën në gazetë të caktuar për lajmet nga krimi, tregtia e palejuar dhe fatkeqësive tjera, gjegjësisht ngjarjeve të ngjashme që thirren në vdekje, ose dëmtime masive. Në kuptimin e gjerë të fjalës nënkuptohet përmbajtja përgjegjëse në të gjitha mediet masive duke përfshirë edhe radion, televizionin dhe internet portalet. Edhe pse përmbajtjet të cilat tradicionalisht udhëhiqen nën kronikën e zezë janë prezent qysh në fillimin e gazetave si medie, kronika e zezë shpesh herë llogaritet si shumë pak e rëndësishme në formën e gazetarisë. Gjegjësisht përmbajtja e kronikës së zezë në raport me të gjitha tjerat, gjegjësisht qasja ndaj temave të tilla merret si një indikator se sa një medie është serioze ose e verdhë”.[2]

Edhe përskaj qasjes dhe kuptimit fillestar të kronikës së zezë si përcaktuese e seriozitetit ose jo seriozitetit të një medie të caktuar, megjithatë ajo gjithnjë e më shumë po është prezent duke krijuar efekte të ndryshme sociale dhe psikologjike.

Mediet gjithnjë e më shumë po i kushtojnë rëndësi kësaj rubrike duke krijuar imazhe dhe efekte psikologjike te njerëzit për fenomene të ndryshme negative që ndodhin në shoqërinë tonë. Lajmet e tilla për ngacmime seksuale në polici, shantazhime të vajzave përmes rrjeteve sociale, tradhti bashkëshortore, përdorimi i drogës, trafikimi i qenieve njerëzore, aksidente të shumta me efekt vdekjen, janë bërë tashmë normale.

Siç duket, rroli i medieve për të mbrojtur dhe ruajtur të mirën publike e ka humbur sensin dhe kuptimin e saj. Ai rrol tashmë është transformuar në një vegël në duart e manipuluesve që po i përdorin mediet për të shfrytëzuar të mirën publike në dobi të tyre.

Doktorët Ricard Poll dhe Linda Elder në librin “Manual për mendimtarin për GABIMET LOGJIKE”, e kanë qartësuar dhe definuar saktë rrolin e një manipuluesi të këtillë:

“Manipuluesit nuk e shfrytëzojnë intelegjencën e tyre për të mirën publike. E shfrytëzojnë për ta fituar atë që e duan bashkërisht me ato që i ndajnë interesat e tyre. Arma e tyre janë dominimi, demagogjia dhe kontrolli”[3].StrugaLajmStrugaLajm

Kur dëshira e manipuluesve është për ta shfrytëzuar intelegjencën e tyre drejt përfitimit të mirave publike, ata lehtas e përdorin edhe kronikën e zezë dhe imazhet e saj dhe efektet psikologjike dhe sociale për të arritur deri te qëllimi i tyre. Kaosi dhe problemet që mund të krijohen nga përdorimi dhe keqpërdorimi i pozicioneve të tilla mbillen në nënvetëdijen e njerëzve dhe krijojnë sjellje të habitshme. Qëllimi është që të krijohet panik, të mbillet frikë që sa më lehtë njerëzit të përçahen dhe të sundohen. Këto efekte dhe imazhe përshtaten me direktivat korporatave të medieve që sot janë pushteti i katërt.

Gjuro Shushniq në librin e tij “Peshkatarët e shpirtrave njerëzor” e shpjegon shumë bukur këtë gjendje:

“Mënyra më efektive për manipulimin e njerëzve është që situata e tyre ekzistenciale të bëhet e pasigurt, e paqartë, e papërcaktuar, e paqëndrueshme, një situatë e re, e dyshimtë, me plot pritje, ankth dhe frikë. Në këto lloje situatash, aftësia kritike e vetëdijes pëson rënie dhe individi merr sjelljen e të tjerëve ( të shumicës) si masë të sjelljes së tij”[4].

Mjet më i mirë për të arritur deri te manipulimi i njerëzve sesa mediet nuk ka, dhe rubrikë më e përshtatshme sesa kronika e zezë.

Situata e këtillë i shkon përshtati pushteteve që duan të sundojnë me njerëzit dhe të humbasin masën kritike të tyre. Për këtë arsye jo rastësisht në të kaluarën pushtetet kanë krijuar material ose lajme për kronikën e zezë për të rritur nivelin e frikës dhe pasigurisë te njerëzit.

Koncepti i lirisë në medie nuk duhet që të keqpërdoret prej manipuluesve për të arritur synimet e tyre.

Profesoresha universitare, Viktoria Kafexhiska në librin e saj “Mendimi publik dhe mediet masive” ka sqaruar saktësisht se liria në aspektin medial është gjendje dhe jo kriter:

“Liria më shumë është gjendje, e më pak kriter për realizimin medial. Ajo ka të bëje me të drejtën për shprehje të lirë dhe formimin e lirë të mendimeve, por kjo e drejtë që të realizohet duhet të ketë qasje deri në kanalet mediale dhe mundësi për të pranuar lloje të ndryshme të informacioneve. Kredibiliteti i cilit do informacion varet nga ajo se sa qeveria, reklamuesit, pronarët ndikojnë ndaj saj. Pavarësia është njashtu kusht që ajo të siguroje që mediet të janë mbrojtës të interesit publik, duke nxitur interesimin e qytetarëve për ato që kanë fuqi më të madhe në shoqëri”.[5]StrugaLajm

Në anën tjetër, Noam Chomsky ka bërë dallime thelbësore midis lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës. Sipas tij, liria e fjalës është vlerë e cila duhet kultivuar dhe mbrojtur, ndërsa liria e shtypit varet prej situatave të caktuara se si përdoret:

“Që të jemi më të qartë, duhet që të bëjmë dallimin midis lirisë së fjalës prej lirisë së shtypit. Sipas kësaj, edhe nëse liria e shtypit është fasadë, liria e fjalës do t`ia vlente që të mbrohej dhe shpërndahej. Vlerësoj se kjo gjë është e rëndësishme dhe se SHBA-të kanë arritur standarde të larta në mbrojtjen e lirisë së fjalës. Kur jemi te liria e shtypit, edhe pse nuk ka dyshim se koncentrimi i madh i fuqisë ekonomike-politike ka ndikim të madh në mediet masive, unë ato do t`i emëroja “kontroll absolute”. As në shtetet totalitare, diktaturat ushtarake ose shoqëritë e robëruara, kontrolli asnjëherë nuk ka qenë absolut”.[6]

Shkelja e normave etike

Normat morale dhe etike janë të domosdoshme në punën e gazetarëve dhe medieve. Përderisa ato norma shkelen në vazhdimësi, atëherë krijohen efekte tepër negative në mesin e njerëzve.

Profesori universitar, Dejan Donev, në librin me titullin ‘Etika e gazetarisë’ e sqaron rrolin e normave morale dhe etike në mediet masive:

“Mediet masive fitojnë karakterin e fenomenit moral pasi që janë formë, shprehje dhe faktor i ndryshimit të gjendjes morale të një shoqërie. Të gjitha çështjet e hapura të ekzistencës moderne morale të njeriut reflektohen në mediet masive, me çka ata po bëhen subjekt i procesit moral, përderisa të gjithë aktorët që janë pjesë e termeve komunikator, por edhe pranues në mediet masive, janë të përfshirë nga rrjeti i kategorive etike. “[7]

Në anën tjetër,  profesoresha Marina Tuneva dhe Filana Koka kanë analizuar për nevojën e ekzistimit të standardeve profesionale etike në medie. Ata kanë bërë krahasime të këtyre normave dhe standardeve profesionale në Evropë dhe në Maqedoni:

“Nevoja për standarde profesionale etike në kohën e sotme është bërë e madhe. Liria më e madhe në medie nënkupton më pak gazetari defanzive dhe më shumë vetëdije për nevojën e standardeve me qëllim që të sigurohet cilësi dhe t`i iket keqpërdorimit. Pasojat nga puna jo etike në periudhën e ekonomisë globale dhe komunikimit të shpejt janë më serioze sesa në kohën kur dëmi nga puna jo etike ka qenë i izoluar dhe i pavërejtur. Etika në mediet del nga ata që shkruajnë dhe i redaktojnë lajmet, nga botuesit dhe pronarët e medieve, ndërsa përgatitja e standardeve etike pjesërisht është përgjegjësi personale dhe pjesërisht përgjegjësi kolektive. Prej këtu, del se përgatitja efektive dhe zbatimi i standardeve etike asnjëherë nuk nënkuptojnë burime të jashtme të ndikimit”. [8]

Qëllimi i publicitetit dhe rritjes së audiencës ka bërë që një pjesë e madhe e medieve t`i shkelin kodet etike dhe morale duke mos respektuar privatësinë dhe ndjenjat e njerëzve. Në televizionet publike zbulohet identiteti i personave të vrarë në aksidente të ndryshme rrugore, ndërsa në internet portalet në lajmet që kanë të bëjnë me prostitucionin, promovohen fotografi të cilat kanë efekte psikologjike të dëmshme për fëmijët dhe të rinjtë.

Arsyetimi i vazhdueshëm i këtyre medieve është se ata përmes fotografive të këtilla po e ndërlidhin lajmin ose ngjarjen me diçka vizuale të dukshme që është pjesë e të njëjtit aktivitet. Por realiteti është se në atë mënyrë nxisin klikimin dhe rritjen e audiencës.

Përfundim

Kronika e zezë është shndërruar në një karrem medial jo për të informuar dhe njoftuar opinionin për ngjarjet e trishta, por për të tërhequr audiencën dhe vëmendjen e njerëzve. Ajo sot po luan rrolin e një bishe gjigante të lidhjes emocionale të individit dhe shoqërisë me ngjarje të ndryshme në çdo cep të globit.

Përmes saj po synohet që të avancohet pozita komerciale e medieve. Sa më shumë që do të dominonte ngjyra e zezë në aspektin figurativ në lajmet e përditshme, aq më e madhe do të ishte kërshëria dhe interesi i njerëzve. Njerëzit rrinë zgjuar dhe të gatshëm për t`u informuar në çdo kohë karshi çdo fatkeqësie që ndodh në rrethin ku jeton. Edhe pse informacioni që plasohet ndonjëherë duket edhe tejet i parëndësishëm, si për shembull kafshimi i njerëzve nga qen endacak, por nuhatja e medieve për të nxitur kërshërinë e njerëzve është e hollë.

Si rezultat i kësaj, kronika e zezë po gjen bashkekzistencën e saj mediale duke mos pyetur aspak për kodet etike dhe morale të raportimit të gazetarisë.

[1] Da li je internet mediji?, f.44, ČASOPIS ZA UPRAVLJANJE KOMUNICIRANJEM COMMUNICATION MANAGEMENT QUARTERLY, numri 1, viti 1, dhjetor 2006, Novi Sad

[2] https://sh.ëikipedia.org/ëiki/Crna_kronika

[3] Водич за мислителот за ЛОГИЧКИ ГРЕШКИ, Dr.Ricard Poll dhe Dr.Linda Elder f.9 Shkup, 2013

[4] Peshkatarët e shpirtrave njerëzor, Gjuro Shushniq, f.156 Logos-A, Shkup, 2017

[5] ЈАВНО МИСЛЕЊЕ И МАСОВНИ КОМУНИКАЦИИ, Др.Викторија Кафеџиска, f.98 Shkup, 2019

[6] Mediji, Propaganda i Sistem, Noam Chomsky, f.56 Zagreb, 2003.

[7] Етика во новинарството, Дејан Донев, f.181 , Скопје, 2011

[8] ЕТИЧКО ИЗВЕСТУВАЊЕ НА МЕДИУМИТЕ ВО ЕВРОПА И МАКЕДОНИЈА, Д-р Марина Тунева и М-р Фиљана Кока, f.10, Shkup, 2016

In : Aktuale

Loading...
loading...