
Vizitë me rëndësi: Kryetari i Bashkisë së Lincoln Park nga Amerika viziton Mendi Qyrën në Strugë
Kryetari i Bashkisë së Lincoln Park në Nju Xhersi, David Runfeldt , zhvilloi një vizitë të veçantë në Strugë, ku u takua me Mendi Qyrën – investitor i njohur dhe kandidat për kryetar të Strugës në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor.
Lincoln Park është një nga vendbanimet amerikane me komunitet të madh shqiptarësh, përfshirë një numër të konsiderueshëm struganësh që jetojnë, punojnë dhe edukohen atje. Kryetari Runfeldt, i njohur për afërsinë dhe respektin ndaj shqiptarëve, veçanërisht ndaj komunitetit strugan, e vlerësoi lartë figurën e Mendi Qyrës.
Ai e përgëzoi për angazhimin e tij afatgjatë dhe për kontributin mbi 30-vjeçar në fushën e investimeve dhe zhvillimit ekonomik në Strugë dhe më gjerë, duke theksuar se përvoja dhe vizioni i Qyrës janë vlera të rëndësishme për të ardhmen e qytetit. Kryetari amerikan shprehu hapur mbështetjen e tij për kandidaturën e Mendi Qyrës, duke vlerësuar qasjen e tij bashkëkohore dhe të përgjegjshme ndaj sfidave të qytetit.
Nga ana e tij, Mendi Qyra e falënderoi kryetarin Runfeldt për vizitën dhe për vlerësimin, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me diasporën.
“E falënderova z. Runfeldt për trajtimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që i ofron komunitetit shqiptar në Lincoln Park. Kjo është një dëshmi e lidhjes së fortë mes shqiptarëve të Amerikës dhe vendlindjes së tyre,” tha Qyra.
Vizita u përmbyll me zotime për forcimin e lidhjeve institucionale dhe shoqërore mes komunitetit shqiptar në SHBA dhe vendlindjes, me qëllim që bashkëpunimi të konkretizohet në projekte zhvillimore në të ardhmen.





























