KUR EDHE NATALITETI TRAJTOHEJ SI DUKURI NACIONALISTE

Shkëlzen Halimi

Në shiritin e kohësStrugaLajmStrugaLajm

KUR EDHE NATALITETI TRAJTOHEJ SI DUKURI NACIONALISTEStrugaLajm

Në vitet 80-ta, pas ngjarjeve të bujshme në Kosovë (1981), udhëheqja e atëhershme shoviniste maqedonase, ndërmor një varg masash brutale dhe represive kundër punonjësve shqiptarë të arsimit, kulturës, kundër politikanëve të “padëgjueshëm”, kundër punëtorëve me punë të përkohshme në botën e jashtme, kundër nxënësve, studentëve, klerikëve. Për komunistët maqedonas vepër “nacionaliste e separatiste” ishte edhe ta duash kombin, të dëgjosh kënga burimore shqiptare, të lexosh vepra të autorëve shqiptarë, t’i emërtosh fëmijët me emra shqip, t’i shkollosh fëmijët në Universitetin e Prishtinës, por edhe ta planifikosh familjen me më shumë se dy fëmijë.
Në qershor të vitit 1987, udhëheqja komuniste tetovare, do të hartojë një dokument me pikëpamjet e tyre edhe në lëmin e natalitetit, të cilin (të emërtuar si dokument sekret për atë kohë) do t’ia dërgojnë Komiteti Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë.
Ndër të tjera, në këtë dokument, për natalitetin potencohet: “ Si pasojë e kushteve të ndryshme për jetesë, shkallës së arsimit, traditës, ndikimit të fesë në reproduktimin biologjik, paraqiten dallime të mëdha në natalitetin e nacionaliteteve të ndryshme. Te familjet maqedonase, planifikimi i familjes është metodë e sjelljeve të tyre reproduktive, ndërsa te familjet e kombësisë shqiptare, planifikimi i familjes gjendet në fazën fillestare…Në funksion të veprimtarisë së armikut nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar përfshihet edhe natalitet jashtë mase. Nataliteti i lartë në të gjitha vitet e pas luftës, dukshëm ka ndikuar edhe në ndryshimin e strukturës nacionale të popullsisë në komunë (Tetovë). Natalitetin e lartë te pjesëtarët e kombësisë shqiptare e kanë ushqyer edhe persona, të cilët kanë qenë në vende udhëheqëse, të cilët nëpërmjet shembujve të tyre, dëshmonin edhe për pesë e më shumë fëmijë …Nëse dihet se nataliteti te popullsia maqedonase ka ardhur deri te reproduktimi i thjeshtë, mesatarisht dy fëmijë për familje, atëherë si shembull detyrimisht duhet të sigurohet edhe te pjesëtarët e kombësisë shqiptare…”.
Si rrjedhojë e kësaj lufte antishqiptare, gjatë periudhës 1981 – 1987, në Tetovë u burgosën një numër i madh i shqiptarë, u përjashtuan nga puna shumë punonjës të arsimit, kulturës, administratës komunale e shtetërore dhe u morën masa të ashpra ideo-politike kundër atyre politikanëve shqiptarë, të cilët nuk u pajtuan me masat represive të aparatit komunist maqedonas… (Burimi: “Çështja shqiptare në RSFJ 1981 – 1990”, Qerim Lita)

In : Aktuale

Loading...
loading...