BLENDI PETROL
Aktuale

Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fqinji verior, Serbia

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër Lepencit beson se është kryer nga Serbia.

“Po mblidhemi sonte mbi sulmet e fundit të rënda kriminale, terroriste, dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, që ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv dhe armiqësor”, ka thënë Kurti në konferencë të jashtëzakonshme për media.

Tutje Kurti tha se kanali është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar, teksa shtoi se policia aktualisht është në vendngjarje duke hetuar rastin.

“Kanali i Ibër-Lepencit është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar. PK-ja tashmë është në vendin e ngjarjes dhe në krye të detyrës. Furnizimi me ujë të pijes është ndërpre përkohësishtë sipas lajmërimeve nga kRU “Mitrovica”. Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike dhe mbase më të rëndësishmen që e kemi dhe kjo mbase ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë. U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet dhe njoftimit nga institucionet e Kosovës”, tha ai.

Tutje Kurti tha se janë të bindur që sulmi është orkestruar nga Serbia.

“Organet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës , rikuperimin e dëmit dhe zbardhjen e plotë të rastit. Sulmi është kryer nga profesionist. Është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat kriminale të udhëhequra dhe orkestruara nga Serbia, që e ka edhe interesin, gatishmërinë dhe aftësinë për të shkaktuar sulme dhe dëmtime të tilla, në këtë rast duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes. Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës, rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm”, tha ai.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button