Kush e ka frikë bashkimin Shqipëri-Kosovë

Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është zgjidhje për stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor apo bërthama e një lufte të re? Në fakt, asgjë më shumë se një bashkim që nuk refuzohet por mbështetet nga “E drejta e Popujve” dhe Kartat e OKB-së. Pse shqiptarët kanë frikë nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?

Ditën që u shua Helmut Kohl shumica e mediave kryesore të botës e patën këtë kryemesazh: “Vdiq dirigjenti dhe realizuesi i ribashkimi të Gjermanisë”. Kjo arritje e ish kancelarit gjerman, bashkimi i popullit të tij, u afirmua si kulmi sublim i biografisë dhe suksesit të tij si lider për histori.

Çka ndodh nëse shembullin e tij e ndjek ndonjëri nga kryeministrat e sotëm shqiptarë?

Arsyet e tij do të ishin po aq të forta dhe të argumentuara sa ato të Kohlit, ngase do të donte bashkimin e dy shteteve që për nga natyra, kultura dhe historia janë një.

Mund ta parafytyrojmë histerinë që do të shpërthente.

Do të çmendet bota nëse shteti shqiptar dhe ai kosovar shpalojnë ndonjë strategji të bashkimit në një si dy Gjermanitë.

Dhe histeria e jashtme nuk do të ishte më therëse sesa ajo e brendshme. Ka plot shqiptarë andej e këndej kufirit që duket se e kanë të pamundur ta imagjinojnë të ardhmen më gjatë se tri ditë.

Pse “botën” e tremb kaq shumë bashkimi i shteteve shqiptare?

Çka ka ndryshuar nga thyerja epokale e bllokut me drapër dhe çekan që favorizonte bashkimin e Gjermanive aq shumë saqë bashkimi i shteteve shqiptare të duket variant i natyrshëm, madje edhe për më tepër – të jetë një plus gjeostrategjik për BE-në dhe SHBA që ta ruajë stabilitetin dhe t’ia bëjë vetes një fortesë që thyen dominimet e mundshme të blloqeve, sidomos nga Lindja?

Ka ndryshuar shumëçka.

Jo vetëm nga rënia e Murit të Berlinit, sjelljet e fuqive të mëdha ndaj shqiptarëve kanë ndryshuar shumë.

Ky ndryshim qasjesh shihet sidomos në relacion me sovranitetin e Kosovës.

Edhe pse në shekullin 21 nuk ekziston një sovranitet i pakushtëzuar, sovraniteti mbetet kushti thelbësor për krijimin dhe ndërtimin e shtetit.

Por, cili është sovraniteti i Republikës së Kosovës sot?

Ai nuk është vetëm i kushtëzuar por edhe vetëmashtrues.

Ky është një fakt që nuk e dëgjojnë me qejf as qeveritë e as partnerët e Kosovës, por po t’i pyesim qytetarët se si ndihen ata, shumica ta jep përgjigjen se cilin realitet ndiejnë: ata ndihen të jetojnë në një shtet me sovranitet të mashtruar e të mashtrueshëm.

Kosova nuk do të ishte shtet mashtrues, por momenti i krijimit të tij, dhe më shumë se sfida e vazhdueshme e sovranitetit të tij, nga jashtë dhe brenda, e ka bërë shtetin në mendjen e njerëzve të jetë një mashtrim i madh. E ky status, ky model i trashëguar antagonist i kombit mashtrues, nuk krijon në asnjë mënyrë prosperitet, demokraci dhe të ardhme të sigurt. Asnjëherë.

Që të jetë ndryshe duhet që shqiptarët brenda gjeozonës së natyrshme të tyre të veprojnë sipas asaj mendësie që e argumentojnë qysh herët Davide Hume në veprën e tij “On the Balance of Power” dhe Montesquieu në veprën “Fryma e Ligjeve”, kur flet për ndërvarësinë e gjeografisë me historinë. Hapësira kulturore shqiptare, me timonin e dy shteteve, kërkon rikonfigurim më të mençur dhe më strategjik gjeopolitik në Ballkan dhe brenda Europës.

Në mënyrë që shqiptarët të mos jenë refugjatë dhe emigrantë, në mënyrë që të jenë qytetarë të barabartë të botës, shqiptarët në Kosovë duhet të kenë shtet në të ardhmen dhe prosperitet në të cilin besojnë.

Ne paraprakisht duhet të kemi vetëkonfirmim dhe vetërespektim që pastaj të mund t’i respektojmë vlerat që përfaqësojnë qytetarët evropianë. Në mënyrë që ta kuptojmë shoqërinë dhe shtetësinë postnacionaliste, së pari duhet ta përfundojmë çështjen e papërfunduar shqiptare, pasi nëse kjo mbetet e papërfunduar gjithmonë do ta sfidojë udhëtimin tonë drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Dhe do ta sfidojë jo vetëm tonë, por do të acarohet edhe më shumë për gjithë rajonin.

Kjo është më se e sigurt.

Pra, Kosova si shtet në vetvete do të jetë gjithmonë burim i paqëndrueshmërisë për vete dhe për rajonin. Ajo do të sfidohet, para dhe pas të gjitha sfidave të tjera, nga kriza e identitetit të saj.

Ndjenja e të jetuarit diku që nuk i përket shoqërisë në të cilën je pjesë e saj – do të thotë se nuk jeni pjesë e saj, sepse dëshironi të jeni pjesë e diçkaje tjetër, ose sepse ajo që ju i përkisni është sfiduar vazhdimisht.

Kriza e identitetit do të jetë burim i vazhdueshëm i radikalizmit, i politikave dhe i projekteve religjioze.

Efektin e kësaj gjendjeje tashmë e kemi parë. Ajo na bën një shtet të gjymtuar, siç e kemi këtu, tash, në Kosovë. Ka efekt helmues të zhgënjimit, mungesës së shpresës dhe zemërimit që riprodhohet pandalshëm nga e gjithë shoqëria.

Ëndrra e papërmbushur e respektit kombëtar ndaj vetvetes gjithmonë do ta ushqejë zemërimin dhe frikën, ndërsa e dimë se me këto ndjenja, sidomos në Ballkan, e ardhmja nuk mund të jetë e ndritur.

Ne mund të debatojmë se kush më së shumti është përgjegjës për këtë krizë identiteti që nuk e bën të mundur ndërtimin e shtetit në Kosovë.

Në këtë proces nuk ka të pafajshëm.StrugaLajm

Qeveritë tona prodhojnë vetëm telashe e jo zgjidhje.

Hipokrizia e BE-së duke luajtur si modeli i lartë i rrokullisjes morale është se dëshiron ta rregullojë ndërtimin e shtetit, por në të vërtetë nuk është në gjendje të ndikojë që anëtarët e saj ta njohin Kosovën.

Tërheqja graduale e sponsorëve të pavarësisë së Kosovë është dëshmi që shqiptarët duhet t’i nxisë në strategjira këmbëngulëse për t’i mbrojtur shtetet e tyre.

Si të ndodhë kjo dhe me cilin synim kapital dhe final?

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk ka të bëjë me krijimin e shtetit kombëtar, dhe jo për Shqipërinë e Madhe.

Ai në të vërtetë është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij koncepti politik duke mundësuar transformimin në një shoqëri të hapur dhe të integruar, të përqendruar në progresin përtej konfirmimit të vet.

Kjo do të thotë të mos jesh më i burgosur në historinë e saj, por t’i hapësh zemrat dhe mendjet për t’u integruar me fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor në kontekstin europian.

Duke parë në këtë kontekst, unifikimi mbi të gjitha do të thotë se dëshiron të jesh qytetar i Europës dhe i botës, por jo si refugjat ose emigrant, por si qytetar i barabartë që mund t’i shtojë vlerë bashkësisë globale. Do të thotë ta zhvendosësh nga marka ballkanike identitete antagoniste ndaj vëllazërisë në liri dhe barazi.

Me dekada në ekzistencën e saj Kosova ka dëshmuar se liria është tejet e kushtëzuar.

E kushtëzuar me konsensusin e pamundur të shteteve të BE-së se për ta pranuar si shtet dhe me interesin e fuqive botërore për të bërë studim e rasti të rajonit për Rendin e Ri Botëror.

Për t’i ikur kësaj teposhte, konfuzioni, vërdallje bastioneve politike të bëra pikë e pesë, për të lënë pas këtë rreth vicioz të frikës dhe zemërimit që ka arrestuar ndërtimin e shtetit, për të reduktuar paparashikueshmërinë dhe armiqësitë, për të qenë një faktor i natyrshëm, i fortë, me rol konstruktiv gjeopolitik dhe autonom në kultivimin e kulturës dhe identitetit si të drejta të panegociueshme, elitat politike shqiptare duhet të mendojnë seriozisht, intelektualisht, politikisht dhe ekonomikisht për një shtet të përbashkët me Shqipërinë.

Kjo do të na mundësojë që të merremi me çështje të ngutshme të pabarazisë dhe radikalizmit, duke krijuar institucione demokratike, rritje ekonomike. Shkurtimisht, kjo do të na sjellë në pozitë për të nxitur të ardhmen që ka kuptim për të gjithë, për ne, por edhe për fqinjët tanë.

Kjo do të bëjë të mundur që shqiptarët të jenë forcë pozitive e stabilitetit në rajon dhe me anë të kësaj të bëjnë të mundur që Ballkani Perëndimor të largohet nga kurthi i politikës së identitetit dhe të punojë së bashku për të qenë forcë pozitive në bashkësinë globale.

Ballkani Perëndimor është sfiduar vazhdimisht nga deficiti i tij demokratik dhe mënyra për ta kapërcyer është krijimi i kontekstit për marrëdhëniet më pozitive dhe bashkëpunuese mes shqiptarëve dhe serbëve.

Kjo marrëdhënie gjithnjë e më shumë e përcakton realitetin dhe gjendjen e stabilitetit në rajon dhe është sfida themelore e Ballkanit Perëndimor që e mban çelësin e së ardhmes së saj. Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë në një subjekt do të jetë zgjidhja e kësaj marrëdhënieje gjatë krijimit të kontekstit të ri politik në Ballkanin Perëndimor, i cili do t’u mundësojë të dy vendeve të kalojnë në diçka që kurrë nuk kanë qenë – miq dhe partnerë me vlerë të përbashkët të ndërtimit të ndërlidhur, demokratik dhe të begatë te shoqërisë në rajon.

Kjo është arsyeja pse tani me hapjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është pikërisht momenti për ta bërë një rast të arsyeshëm dhe të shëndoshë për bashkimin. Ata do të na kuptojnë, sepse ne do të flasim në gjuhën e tyre të vetë-afirmimit, krenarisë dhe përcaktimit të ëndrrës së integritetit të kombit.

Duhet ta bëjmë rastin për bashkim te qytetarëve tanë, fqinjëve tanë, BE-së dhe botës.

Bashkimi është rasti për paqen, begatinë dhe të ardhmen më të mirë për të gjithë.

Është rasti për demokracinë, jo të fiksuar dhe të paracaktuar, por që të bëhet, e guximshme sa ëndrra e shoqërisë së lavdishme.

Dy shtete sovrane, të pavarura, kanë drejtë të vendosin vetë se me kë bëjnë bashkime.

Kjo është e drejtë e garantuar me gjitha kartat e OKB-së dhe të tjerat.

Përndryshe, nuk do të bashkoheshin as Gjermanitë dhe bashkimi nuk do të ishte merita historike e liderit gjerman.

Është diçka e natyrshme kur një popull i ndarë në formacione të ndryshme politike dëshiron t’i bashkojë fuqitë.

Para gjithë tjerëve, këtë duhet ta duan shumicat shqiptare.

Vetëm atëherë do të mund t’i bindin edhe të tjerët.

 

In : Aktuale

Loading...
loading...