Kush janë ministrat e propozuar të Qeverisë së re në Maqedoni?

Koalicioni qeverisës në Maqedoninë e Veriut ka bërë publik emrat e anëtarëve të kabinetit qeveritar. I pari që bëri publik emrat e ministrave ishte kryetari i BDI, Ali Ahmeti. Bashkimi Demokratik për Integrim në qeverinë e re do të drejtojë 6 ministri:

Ministrinë e Financave ku ministër është propozuar Fatmir Besimi;

Bujar Osmani, ish-zv/kryeministër në qeverinë e mëparshme do të mbajë postin e ministrit të Punëve të Jashtme;

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të drejtohet nga Naser Nuredini;

Ministria e Ekonomisë nga Kreshnik Bekteshi

Ndërsa zv/kryeministër i parë i cili zëvendëson në mungesë kryeministrin Zaev do të jetë Artan Grubi, i cili do të mbajë dhe postin e ministrit të Sistemit Politik, ndërsa për Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, kreu i BDI njoftoi se do të vendoset pas disa konsultimeve brendapartiake.

Në bazë të marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LSDM-së dhe BDI-së, në krye të kuvendit pritet të zgjidhet sërish Talat Xhaferi.

Sa i përket kandidatit për kryeministër Naser Ziberit, nuk do të ketë aktualisht asnjë post. Duke vlerësuar rolin e tij në rezultatin zgjedhor, Ahmeti tha se në të ardhmen do t’i gjendet një vend i përshtatshëm.

Në orët e vona të mbrëmjes edhe LSDM ka bërë publike emrat e anëtarëve të kabinetit, ku ish-ministri i jashtëm Nikola Dimtrov do të mbajë postin e zv.kryeministrit dhe sekretarit për Çështje Evropiane.

Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike do të jetë Fatmir Bytyqi.

Rikthehet në postin që mbante në qeverinë e mëparshme, atë të Ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski. Në postin e ministrit të Shëndetësisë do të vazhdojë të qëndrojë Venko Filipçe.

Propozimet për ministra në qeverinë e re

Kryeministër – Zoran Zaev

Me ekspertizë në ekonomi dhe politikë, Zaev rizgjidhet kryeministër pasi shërbeu në të njëjtin post nga maji i vitit 2017 deri në janar 2020. Më herët, Zaev ka qenë deputet i parlamentit dhe ka mbajtur tre si mandate kryekomunar i Strumicës (kryekomunari më i ri në moshë në atë kohë). Prej vitit 2013, Zaev drejton LSDM, pjesë e të cilës ka qenë prej 24 vitesh.

Zëvendëskryeministër i parë – Ministër për Sistem Politik – Artan Grubi

Artan Grubi ka qenë deputet i BDI nga viti 2016 deri në vitin 2020. Grubi është këshilltar politik dhe shef i kabinetit të kryetarit të partisë ku ai bën pjesë.

Zëvendëskryeministër Sekretariati për Çështje Evropiane – Nikola DimitrovStrugaLajmStrugaLajm

Nikola Dimitrov është një politikan dhe diplomat maqedonas, i cili shërbeu si Ministër i Jashtëm për RMV që prej majit 2017. Më herët, Dimitrov ka shërbyer si ambasador i RMV në SHBA dhe Holandë. Gjatë mandatit të tij të mëparshëm, së bashku me homologun grek Nikos Kotzias, Nikola Dimitrov luajti një rol thelbësor në arritjen e marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike – Fatmir Bytyqi

Fatmir Bytyqi ka një eksperiencë të gjatë në fushën e menaxhimit të biznesit, politikave financiare, si dhe në shoqërinë civile. Bytyqi ka shërbyer gjithashtu si këshilltar i posaçëm i kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nga viti 2018.

Zëvendëskryeministër për Luftën Kundër Korrupsionit – Lupço Nikollovski

Me ekspertizë dhe arsimim në fushën ligjore, Lupço Nikolovski ka drejtuar më herët Ministrinë e Bujqësisë, Pyjeve dhe Ekonomisë Ujore. Ai e ka fokusuar kryesisht arsimin e tij në aspektin e të drejtës.

Ministria e Mbrojtjes – Radmilla Shekerinska

Shekerinska vazhdon të drejtojë ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa ka mbajtur poste të larta në LSDM si kryetare (deri në shtator 2008), por edhe si zv.kryeministre për Integrimin Evropian dhe Koordinatore Kombëtare për Ndihmën e Huaj kohë kur vendit iu dha statusi kandidat në Bashkimin Evropian.

Ministria e Punëve të Brendshme – Oliver Spasovski

Oliver Spasovski shërbeu si kryeministër i Maqedonisë së Veriut prej 3 janarit 2020, pas marrëveshjes midis liderëve të LSDM dhe VMRO-DPMNE për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Deri atëherë ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm dhe është njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i LSDM.StrugaLajm

Ministria e Punëve të Jashtme – Bujar Osmani

Pas eksperiencës si zv.kryeministër për Çështjet Evropiane, Osmanit i besohet mandati i ministrit të Punëve të Jashtme. I diplomuar në mjekësi, ai ka ushtruar gjerësisht profesionin e tij si mjek, ku deri në vitin 2011 ka qenë ministër i Shëndetësisë.

Ministria e Financave – Fatmir Besimi

Fatmir Besimi është një politikan dhe ekonomist, që ka shërbyer dy herë si ministër i Ekonomisë, më vonë Ministër i Mbrojtjes (deri në shkurt 2013) dhe më vonë si zv.kryeministër për Çështjet Evropiane.

Ministria e Shëndetësisë – Venko Filipçe

Dr. Venko Filipçe është emëruar ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë nga pozita e këshilltarit të Shëndetësisë të kryeministrit Zoran Zaev dhe pozitës profesionale si asistent profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup.

Ministria e Drejtësisë – Bojan Mariçiq

Boja Mariçiq ka shërbyer si koordinator kombëtar për integrimin në BE dhe si kryenegociator për çështjet teknike. Pranë LSDM Mariçiq është zgjedhur gjithashtu si sekretar për bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve – Blagoj Boçvarski

Boçvarski është diplomuar në arkitekturë dhe ka qenë deputet i LSDM në parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Ekonomisë – Kreshnik Bekteshi

Bekteshit i mbetet drejtimi i ministrisë së Ekonomisë. Nga viti 2011 deri në vitin 2016 ai ka punuar si shef i Zyrës Ndërkombëtare të Agjencisë për Investime të Huaja të Drejtpërdrejta dhe Promovimin e Eksportit të Republikës së Maqedonisë në Bruksel (Belgjikë) për të promovuar klimën e biznesit të Maqedonisë dhe për të tërhequr investime të huaja të drejtpërdrejta nga Belgjika.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave – Arjanit Hoxha

Në kuadër të marrëveshjes mes LSDM dhe BDI Arjanit Hoxha, sekretari i përgjithshëm i partisë Lëvizja BESA është emëruar ministër i Bujqësisë.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës —- në pritje

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale – Jagoda Shahpanska

Shahpanska nga radhët e LSDM ka mbajtur më herët postin e deputetes. Ajo ka drejtuar gjithashtu Komisionin e Verifikimit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës – Milla Carovska

E diplomuar në fakultetin e filozofisë në Shkup, Carovska ka një karrierë të gjatë në fushën e shoqërisë civile, ndërsa ka mbajtur poste të ndryshme në organizata të të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit.

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale – Goran Milevski

Milevski vazhdon të mbajë postin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Biografia e tij nuk është përditësuar ende në faqen zyrtare të qeverisë së RMV.

Ministria e Kulturës – Irena Stefkovska

Biografia e saj nuk është përditësuar ende në faqen zyrtare të qeverisë së RMV.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – Naser Nuredini

Naser Nuredini qëndron në postin e kësaj ministrie. Ai e ka ndërtuar karrierën e tij në sferën e financave në Londër dhe Vjenë, së pari si analist dhe më pas si menaxher investimesh për tregjet në Evropën Qendrore dhe Lindore. Nuredini është i angazhuar drejt ekonomisë së gjelbër./EuroNews.al


Loading...
loading...