Kushtetuesja shfuqizon udhëzimin e ministrit Lloga-S’ka grafë etnike në certifikata

Me shumicë votash “për” Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi udhëzimin e ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, për përfshirjen e grafës etnike në certifikatat e lindjes/vdekjes dhe ato martesore të lëshuara nga Evidenca amë.
“Për ta sqaruar më mirë, kur gjykata Kushtetuese sjell vendim shfuqizues do të thotë se vendimi ka ndikim retroaktiv duke llogaritur që nga momenti kur është sjell akti që shfuqizohet. Udhëzimi është shfuqizuar për shkak se gjykata vlerëson se është bërë shkelje e nenit 52, paragrafi 2 i Kushtetutes, gjegjësisht nuk është respektuar afati kushtetues në të cilin është dashur të publikohet ky udhëzim. Neni parasheh afat prej 7 ditësh për publikim që nga dita e sjelljes. Kushtetuesja ka shpjeguar tashmë se nuk bëhet fjalë për shkelje teknike, por thelbësore”, theksoi Hristina Bellovska, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese.
Me vendimin e tillë të Kushtetueses nuk vlejnë më as certifikata që janë nxjerrë më përkatësi etnike e as nuk do të mund të nxjerrën më. Por çka do të ndodhë me ato qytetarë që veç më kanë marrë dokumente me përkatësinë etnike?
“Përgjigje për këtë çështje duhet të kërkohet nëpërmjet interpretimit të nenit 81 të Rregullores, paragrafi 1 i Rregullores së gjykatës i cili jep të drejtë çdo qytetari që vlerëson se me ndonjë akt individual ose në rastin konkret me nxjerrjen e certifikatave mund të kërkoj shfuqizim të aktit të tillë në afat prej 6 muajsh nga dita kur vendimi do të shpallet në gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Hristina Bellovska, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese.
Nga ministria e Drejtësisë sot nuk deshën të komentojnë vendimin e Kushtetueses duke e lënë që nesër vetë ministri Krenar Lloga të prononcohet në brifingun që ka thirrur për gazetarët.