Kuvendi votoi Azir Aliun ministër të Shëndetësisë, ndërsa Albrim Hoxhën z/ministër të Bujqësisë
Azir Aliu është ministri i ri i Shëndetësisë, ndërsa Albrim Hoxha zëvendësministër i ri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, pasi deputetët në Kuvend i zgjodhën në seancën e 54-të të sotme me 65 vota “për”, 15 “kundër” dhe asnjë “të përmbajtur”.
Më 12 maj, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, njoftoi se partia kalon në opozitë, dhe me këtë përfundoi edhe funksioni i tij si ministër i Shëndetësisë. Pas largimit të Aleancës për Shqiptarët të Taravarit nga Koalicioni “Vlen”, bashkëpartiakët e tij, si Arben Fetai dhe Azir Aliu, mbetën pjesë e Koalicionit “Vlen”.
Aliu është inxhinier elektrik i diplomuar dhe doktor i shkencave informatike, si dhe profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Teknologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ai ka qenë ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë në vitet 2023 dhe 2024, në qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së.
Zëvendëskryeministri dhe ministër për Mjedis Jetësor, Izet Mexhiti, më 27 maj, në një pyetje të gazetarëve se a do të jetë Aliu një ministër i mirë i Shëndetësisë, duke pasur parasysh që është doktor i shkencave informatike, tha:
“Ministri duhet të jetë një menaxher i mirë që e njeh sistemin dhe që mund të kontribuojë në menaxhim më të mirë në atë resor. Ka pasur raste edhe më herët e edhe tani. Mendoj se Azir Aliu është një propozim i mirë dhe më i miri për atë pozitë.”