Lajm i mirë për mërgimtarët: Tashmë mund të caktoni online terminin për dokumente personale në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka funksionalizuar plotësisht mundësinë për caktimin online të termineve për nxjerrjen e dokumenteve personale, jo vetëm për qytetarët brenda vendit, por edhe për ata që jetojnë jashtë Maqedonisë së Veriut.
Kjo është bërë e mundur përmes opsionit të rezervimit me postë elektronike, për të gjithë ata që nuk posedojnë numër telefoni nga Maqedonia e Veriut.
Qytetarët mund të qasen drejtpërdrejt në këtë shërbim përmes linkut zyrtar:
➡️ https://termin.mvr.gov.mk/Call_Request
Sipas të dhënave nga MPB, që nga futja e sistemit elektronik në vitin 2024, janë realizuar mesatarisht 7,000 termine në muaj. Gjatë vitit 2025, numri ka qenë mbi 4,000 termine mujore, që përkthehet në rreth 200 termine të rezervuara çdo ditë përmes këtij sistemi.
Nga MPB theksojnë se caktimi i termineve përmes linjave telefonike vazhdon të funksionojë normalisht dhe në shumicën e rasteve, për procedura të rregullta, terminet sigurohen brenda një dite.
Kujtojmë se deri vitin e kaluar kjo mundësi ishte e rezervuar vetëm për qytetarët brenda territorit të vendit, ndërsa ata që jetonin jashtë nuk mund të përfitonin nga shërbimi online. Gjithashtu, në periudhën para dhe pas 13 shkurtit 2024, kur skadoi afati për ndërrimin e dokumenteve personale, sistemi për caktimin e termineve u stërngarkua, duke krijuar vështirësi për të gjithë.
Me këtë risi, Ministria synon të lehtësojë procedurat për qytetarët që jetojnë jashtë vendit dhe të shmangë vonesat apo pritjet e panevojshme.