
Në Strugë ka nisur faza e parë e projektit për rikonstruksionin dhe zëvendësimin e rrjetit kryesor të ujësjellësit me gypa azbesti. Bëhet fjalë për një projekt kapital, i financuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, me investim prej rreth 90 milionë denarësh (rreth 1,5 milionë euro) vetëm në këtë fazë fillestare.
Në hapjen zyrtare të punimeve ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, zëvendësministri i Bujqësisë Albrim Hoxha , në këtë eveniment ishte dhe kryetari i OEMVP-së Mendi Qyra si dhe personalitete të tjera politike nga Struga.
Izet Mexhiti theksoi se me zëvendësimin e gypave të azbestit do të përmirësohen kushtet higjienike dhe do të mundësohet mbrojtja e shëndetit publik përmes eliminimit të plotë të rrezikut që paraqesin gypat e azbestit në sistemin e ujësjellësit të qytetit.
Sipas të dhënave nga Ministria, projekti përfshin rikonstruksionin e rrugës kryesore dhe 13 rrugicave anësore, me një gjatësi të përgjithshme prej 6,2 kilometrash dhe pritet të zgjasë 12 muaj.
Në shumë komuna ende përdoren gypa të vjetër të azbestit, për të cilët ekspertët shëndetësorë prej vitesh paralajmërojnë për rreziqet serioze që ato paraqesin për shëndetin e qytetarëve. Këto rreziqe janë konfirmuar edhe nga studime të shumta ndërkombëtare.
Është e njohur gjerësisht se sa i dëmshëm është azbesti. Kur bëhet fjalë për gypa të vjetër të çimentos me përmbajtje azbesti, siç është rasti edhe në vendin tonë, ekziston rreziku i thyerjes ose çarjes së tyre, duke mundësuar përzierjen e grimcave të rrezikshme me ujin që qytetarët e konsumojnë çdo ditë.