Lamtumirë me zemër plot: Flamur Tairi mbyll karrierën te FC Struga Trim & Lum

Pas një karriere të gjatë dhe të pasur në fushat e blerta, futbollisti i njohur Flamur Tairi ka vendosur t’i japë fund rrugëtimit të tij si profesionist, duke ndarë një mesazh emocionues falënderimi për të gjithë ata që ishin pjesë e kësaj aventure shkruan Strugalajm.
“Pas shumë viteve në fushën e blertë, ka ardhur momenti të mbyll një kapitull të jetës sime – me zemrën plot mirënjohje”, shkroi Tairi në një postim prekës në rrjetet sociale, duke falënderuar klubet ku ka luajtur ndër vite: KF Karaorman, Makedonija GP, Napredok, Teuta, FC Gostivari, KF Renova, Bylis dhe veçanërisht FC Struga Trim & Lum, të cilin e quajti “shtëpia ime deri në fund”.
Tairi nuk harroi të falënderojë bashkëlojtarët për çdo betejë të përbashkët, trajnerët për besimin, dhe tifozët për dashurinë e pakushtë. Por mbi të gjitha, ai shprehu mirënjohje të veçantë për familjen e tij, të cilën e cilësoi si forca më e madhe përgjatë gjithë karrierës së tij.
“Kjo ishte një ëndërr që e jetova me shpirt. Faleminderit futboll!”, mbylli mesazhin e tij Tairi, duke i dhënë fund një epoke të rëndësishme në futbollin vendas.
Flamur Tairi largohet si një figurë e respektuar, që për vite me radhë ka qenë pjesë e rëndësishme e klubeve shqiptare dhe jo vetëm, duke lënë pas një trashëgimi të vërtetë në sportin që e dashuroi me gjithë zemër.(Strugalajm.com)





























