LAMTUMIRË , Mësues – RAMI ALLA

                                                                             Shkruan : Resul Bekteshi

LAMTUMIRË   ,     Mësues    – RAMI

     Ditët  e kësaj vjeshte të ftohtë bëhen edhe më të vështira e më të ftohta kur dëgjon ndonjë lajm trishtues e të idhët , për  ndarjen nga jeta e  ndonjë personi. E tillë ishte edhe e diela e 13 dhjetorit  , kur në zemrat e shumë  shokëve e miqve të Ramiut thershëm tingëlloi lajmi se Ramiu nuk jeton më.

     Ramiu nuk jeton më, zemra e mësuesit Rami pushoi së rrahuri  në këto ditë të vështira  të vjeshtës së vonë- pushoi së rrahuri një zemër e madhe , një zemër e një prindi  e mësuesi shembullor. Të gjithë ata që e njihnin  menduan se ndoshta është një lajm  jo i vërtetë, ndër ta edhe autori i këtyre reshtave shpresonte  se ndoshta lajmi nuk është i vërtetë, por fatkeqësia ishte e madhe , sepse shoku i tij nuk jetonte më- e pabesueshme.

  Mësuesi Rami  u lind në vitin 1948 në fshatin Tatesh i sipërm.  Ishte djali i vetëm i familjes së  prindit  Dervish Alla. Shkollimin fillor e filloi në vendlindje, e vazhdoi në shkollën fillore të fshatit Dollogozhdë. Mua edhe sot më kujtohet Ramiu i atyre ditëve , kur nga Tateshi  vinte në këmbë  nëpër shi e dëborë. Shpesh vinte i lagur dhe gati tërë orën e kalonte duke i tharë teshat rreth koftorit . Porsa kreu arsimin fillor Ramiu u përgatit për të vazhduar shkollimin , por vdekja e papritur e babait ia ndërpreu përkohësisht shkollimin , të cilin me një vit vonesë e vazhdoi  në Shkollën Normale “Zef Lush Marku “ në Shkup.  Po në Shkup më vonë kreu SHLP grupi Histori –  Gjeografi.   Pas mbarimit të  shkollimit u punësua në SHF të fshatit Tatesh  ku punoi me sukses gati tëre kohën , në vitet shkollore 1985-1988 ishte  drejtor në shkollën qëndrore  në fshatin Dollogozhdë. Në vitin 2013 Mësues Ramiu  pas një periudhe të gjatë si mësues u pensionua.

   Sot ai, arsimtari  shembullor që gjithnjë rrezatonte dritë  dhe dije  nuk jeton më. Zëri i tij nuk  dëgjohet më. Fjala e tij e ëmbël kur ligjeronte orën e  mësimit nuk tingëllon më në veshët e nxënësve  , të cilët me respekt  e përmendin.

       -Ishte gjithnjë i qetë ,i freskët, ligjeronte ngadalë dhe rrjedhshëm ,  e njihte mirë lëndën që e ligjëronte, nuk inatosej pa shkak dhe ishte shumë i realtë në procesin e notimit të nxënësve-  kujtohen sot në këtë ditë të vështirë disa nga ish nxënesit e tij.

 Rrëfimet për jetën e tij nuk i dinte çdokush.Rrugëtimi i jetës së tij ishte i mundimshëm plot e përplot me vuajte e sakrifica, por ai  gjithnjë dinte si ti zgjidh edhe situatat më të vështira.

      Familja , miqtë  dhe shokët humbën një njeri  të përkryer , një arsimtar të rrallë e shembullor , një prind të pazëvendësueshëm.  Për  Votimin , për  Lirin ,  Xhevrien e Flanzën  vitet   do të kalojnë,  por   emri i tij  gjithnjë në zemrat  e tyre do të  jetojë. Kujtimi për të do të jetë i paharruar.

 Sot nga të katër anët kanë radhë miq e shokë të Ramiut dhe në heshtje dinjitoze përcjellin në të fundin shtrat. Përcjellin në botën e amshuar Mësuesin , Prindin , Mikun e Shokun – Rami.

        Pusho i qetë në botën e amshuar  Rami .


Loading...
loading...