Aktuale

Lehona 34-vjeçare humb jetën pas lindjes me prerje cezariane



Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin në Shkup, ku një lehonë 34-vjeçare ka ndërruar jetë në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë, pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua papritur pas lindjes me prerje cezariane.
Trupi i së ndjerës është dorëzuar për autopsi, ndërsa shkaku zyrtar i vdekjes do të përcaktohet pas përfundimit të analizës patohistologjike.
Nga Klinika për Gjinekologji dhe Obstetrikë – Shkup bëjnë të ditur se pacientja ishte pranuar në javën e 38-të të shtatzënisë, në shtatzëninë e saj të pestë, ndërsa më 27 shkurt 2026 kishte lindur me prerje cezariane. Ndërhyrja ishte realizuar për shkak të tre operacioneve të mëparshme cezariane, duke qenë kështu ndërhyrja e katërt operative e këtij lloji. Sipas mjekëve, operacioni kishte kaluar pa komplikime.
Pas ndërhyrjes, pacientja ishte transferuar në kujdes intensiv post-operativ. Gjatë qëndrimit, ajo ishte ankuar për dhimbje të forta në gjoks, çka bëri që menjëherë të thirrej ekipi i anesteziologjisë dhe të niste reanimimi kardiopulmonar. Pas ndërhyrjes, funksionet vitale ishin stabilizuar dhe pacientja ishte dërguar në repartin e kujdesit intensiv dhe reanimacionit.
Në trajtimin e mëtejshëm u përfshinë edhe kardiolog dhe neurolog, ndërsa u kryen ekzaminime të shumta, përfshirë elektrokardiogramë, ekokardiografi, rëntgen të mushkërive dhe analiza laboratorike të vazhdueshme, me monitorim të pandërprerë të gjendjes së saj.
Nga Klinika theksojnë se ishte aplikuar trajtim multidisiplinar dhe terapi bashkëkohore e plotë, por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, pacientja ndërroi jetë më 1 mars 2026.
Institucioni shprehu ngushëllime për familjen e të ndjerës dhe njoftoi se shkaku zyrtar i vdekjes do të publikohet pas marrjes së raportit përfundimtar të autopsisë.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button