Letra që acaroi BFI-në me Qeverinë

BFI me ligjin për denacionalizim të vitit 1998, në organet gjegjëse ka dorëzuar 350 kërkesa për denacionalizim të pronave të nacionalizuar pas Luftës së dytë botërore. Deri më tani epilog përfundimtar kanë marrë 40 për qind e kërkesave, në mesin e të cilave ka edhe lëndë të refuzuara

Destan JONUZI

Shkup, 26 mars – Ka qenë shkas një letër interne e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) drejtuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që ka përkeqësuar raportet midis tyre. Përderisa Qeveria thotë se kjo letër përbën shantazh, siç thonë ndaj shtetit sekular, për BFI-në ajo ka qenë një nga letrat e shumta dërguar institucioneve të vendit për të gjetur një zgjidhje për problemin e denacionalizimit dhe pronave.

“BFI në letrën e vet përkujton Qeverinë aktuale se vërejtjet dhe pakënaqësitë e saj, të cilat në mënyrë të vazhdueshme po i shpreh një kohë të gjatë, pa marrë parasysh përbërjen politike të qeverive, mbeten të njëjta. Nuk është hera e parë që ne po i drejtohemi Qeverisë së kryeministrit Zaev, edhe ai edhe anëtarët tjerë të kabinetit të tij, janë të njoftuar me problemet për të cilat BFI po insiston që të zgjidhen. Por, mjerisht edhe pas dy viteve të kësaj Qeverie , nuk kemi përgjigje konkrete të letrave tona, e lërë më realizim të ndonjë kërkese”, thonë nga BFI-ja. Drejtuesit e BFI-së ndjehen thellësisht të ofenduar nga kualifikimi se letra e tyre paraqet shantazh ndaj shtetit sekular. Nga BFI theksojnë se qëndrimi selektiv ndaj Bashkësive Fetare, kur është në pyetje kthimi i pronave të nacionalizuara dhe dhurimi i objekteve dhe tokave atraktive bashkësive të caktuara fetare, është diskriminim.

“Problemi i Jeni-Xhamisë në Manastir, si dhe situata në fshatin Llazhec, ku më shumë se 100 vjet nuk lejohet ndërtimi i xhamisë, edhe pse fshati është shumë etnik, me numër të barabartë të myslimanëve dhe të krishterëve dhe në fshat ka dy kisha funksionale. Për këtë rast e kemi informuar edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila ka dërguar edhe një emisarë të saj për të inspektuar këtë çështje, i cili ka rekomanduar që problemi gjithsesi të zgjidhet. Po ashtu, BFI në qytetin e Ohrit humbi pa kurrfarë kompensimi dy xhami të vjetra, atë të Imaretit dhe atë të Hazhi Kasamit, të cilat u rrënuan në mënyrën më vandale, me dinamit. Në Ohër, për momentin ekziston vetëm Xhamia e Ali Pashës, por edhe rikonstruktimi i saj po has në probleme të paimagjinueshme. Problem të theksuar ka edhe Xhamia e Hysamedin Pashës në Shtip, e cila i është shitur KOM-it nga ana e Ministrisë së Financave, me ç’rast kishte përpjekje që Xhamia të shndërrohet në kishë. Të gjitha këto ne po i përjetojmë si tregues të qartë të islamofobisë”, thonë nga BFI.

Nga BFI u bëjnë apel organeve shtetërore që të nisim një dialog konstruktiv, efektiv dhe të sinqertë, pa premtime boshe. “Apelojmë që menjëherë, pa e zgjatur, të heqim drynin nga problemet e grumbulluara”, theksojnë nga BFI-ja. Nga Bashkësia Islame thonë se deri në përfundim të procesit të zgjedhjeve presidenciale në vend nuk do të prononcohen më për këtë çështje, por se përpjekjet e tyre në këtë drejtim nuk do të ndalen.

Ndërkohë, BFI me ligjin për denacionalizim të vitit 1998, në organet gjegjëse ka dorëzuar 350 kërkesa për denacionalizim të pronave të nacionalizuar pas Luftës së dytë botërore. Deri më tani epilog përfundimtar kanë marrë 40 për qind e kërkesave, në mesin e të cilave ka edhe lëndë të refuzuara. Përndryshe, BFI përmes letrës ka kërkuar urgjentisht të ndërmerren masa për kthimin e pronës së vakëfit në procedurë të denacionalizimit. BFI, gjithashtu, është ankuar se ka probleme me pushtetin dhe se për shkak të asaj ekzistojnë çështje të pazgjidhura me objektet fetare në fshatin Llazhec të Manastirit, Xhaminë e Husamedin Pashës në Shtip dhe me Xhaminë e Ali Pashës në Ohër. Sipas Kushtetutës, si akt më i lartë ligjor, Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet sekular. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...