Aktuale

Liderët e Vlen nga Strugë : Mbështetje për Mendi Qyrën- mesazh Ziadin Selës mos i ik garës

Në Strugë është hapur zyrtarisht shtabi zgjedhor i koalicionit Vlen, ku në prani të strukturave partiake dhe simpatizantëve, liderët e këtij koalicioni shpalosën platformën e tyre politike, duke theksuar rezultatet e arritura deri më tani në qeverisje dhe përfitimet konkrete për qytetarët.

Gjatë fjalimeve të tyre, drejtuesit e Vlen-it potencuan se angazhimi i këtij koalicioni në ekzekutiv tashmë ka filluar të japë frytet, veçanërisht në përfaqësimin e drejtë, investimet dhe projekte konkrete në të gjitha komunat shqiptare.

Por, pjesa më e komentuar e takimit ishte pikërisht shpallja e qëndrimit të qartë për zgjedhjet lokale në Strugë. Liderët e Vlen konfirmuan se ky koalicion do të garojë me listën e vet për këshilltarë në Këshillin Komunal, ndërsa për kryetar komune do të mbështesin kandidatin e pavarur Mendi Qyra.

“Në këto zgjedhje, për këshilltarë do të dalim me listën tonë të përfaqësimit, por sa i përket kryetarit të komunës, jemi të vendosur ta mbështesim fuqishëm kandidaturën e pavarur të Mendi Qyrës, një figurë që bashkon qytetarët, përtej partive politike”, u tha në këtë tubim.

Nga foltorja, liderët e Vlen sfiduan hapur oponentët e Frontit Europian, duke theksuar se gara politike në Strugë duhet të jetë e hapur dhe demokratike. Ata në mënyrë të drejtpërdrejtë sfiduan një nga liderët e Frontit, Ziadin Selën, që të mos i shmanget përballjes në këto zgjedhje dhe të lejojë qytetarët të vendosin lirshëm mes kandidatëve.

“Ftoj Ziadin Selën të mos i ik garës me Mendi Qyrën. Nëse ka besim te mbështetja që pretendon se ka, le të dalim të gjithë përballë qytetarëve dhe ata të vendosin”, u shprehën drejtuesit e Vlen, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Zyrtarët e Vlen theksuan se Struga ka nevojë për një qasje të re, larg klaneve të vjetra politike dhe interesave personale, duke dhënë mesazhin se bashkimi rreth kandidatit të pavarur Mendi Qyra është shansi i vetëm për ta nxjerrë Strugën nga bllokadat politike.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button