Lloga:MURAT LABËNISHTI BIOGRAFIA E NJË VIGANI

Sot është 18 marsi, dita e patronatit të shkollës që mban emrin e një vigani

Shkolla fillore e fshatit Labënisht, në këtë ditë shënon patronatin, ndërsa e gjithë Struga dhe shqiptarët kujtojnë një emër të madh të historisë kombëtare.
Murat Labënishti është një figurë emblematike që meriton të kujtohet me respekt nga të gjitha brezat e ardhshëm, për të cilët ai shkriu jetën e tij.
Andaj, me këtë rast po shpërndaj një përmbledhje të historianes, Asija Nuredini, për jetën dhe veprën e këtij atdhetari, që të jetë si këshillë për secilin prej nesh se si duhet dashur atdheu me vepra.

Krenar Lloga -Ministër i ShëndetësisëStrugaLajm

MURAT LABËNISHTI
BIOGRAFIA E NJË VIGANIStrugaLajm

Atdhetari i shquar shqiptar, Murat Labënishti, lindi në fshatin Labënisht të Strugës në vitin 1909. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. I dhënë pas shkollimit, ndërsa kushtet e atëhershme politike nuk ia mundësonin, në fillim të viteve tridhjeta të shekullit të kaluar, u detyrua ta kalojë ilegalisht kufirin shqiptaro-jugosllav për t’u vendosur në Shkodër. Aty u regjistrua në liceun e qytetit. Pasi e kreu shkollën me sukses të lartë, me vendimin e Qeverisë Mbretërore emërohet nëpunës i lartë në nënprefekturën e Peqinit. Me kapitullimin e Mbretërisë Jugosllave, si shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë nga Kosova dhe trevat Lindore Shqiptare, edhe Murati u kthye në gjirin familjar të tij. Nga ky moment deri në vjeshtën e vitit 1943 Muratin e shohim herë pas here në Strugë, e herë pas here në Peqin.
Aktiviteti i tij politik e ushtarak erdhi në shprehje në pjesën e dytë të vitit 1943 kur përfundimisht u vendos në fshatin Labënisht. Me kërkesën e bashkëluftëtarëve të tij emërohet Kryetar i Komunës së Labënishtit, një detyrë që e mbajti deri në tetor të vitit 1944 kur me kërkesën e Kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për rrethin e Strugës, Mentor Qoku, emërohet nënprefekt i Strugës. Detyrën e nënprefektit e kreu deri më 10 nëntor 1944 kur Struga me rrethinë u ripushtua nga njësitë komuniste jugosllave. Në tetor të vitit 1943 bashkë me familjen e tij u kthyen në vendlindje. Më 20 tetor të vitit 1943 organizon takime me përfaqësues të komunave të Labënishtit, Veleshtës dhe Oktisit. Murati u zgjodh si themelues i çetave kombëtare shqiptare në këto komuna. Më 25 dhjetor të vitit 1943 në Labënisht e formon “Komitetin Shqiptar”, me karakter lokal dhe çetën “Drini i Zi”, ku komandant i çetës zgjidhet Murat Labënishti.
Nga mesi i vitit 1944 zgjidhet Kryetar i Organizatës “Rinia Shqiptare”, në Strugë. Më pas zgjidhet zëvendës kryetar në nënprefekturën e Strugës. Gjatë kësaj kohe ai punon në mbrojtje të popullatës dhe në momentet më të vështira nuk u dorëzua, u qëndroi besnik interesave kombëtare. Janë të njohura shumë nga fjalimet e tij të mbajtura në vendbanimet e Strugës. Si më i njohur është fjalimi i mbajtur në Veleshtë në lidhje me situatën politike. Në nëntor të vitit 1944 ai u detyrua të largohej në mal.
Murat Labënishti u dënua me burgim të përjetshëm, me vendim të marrë nga Gjyqi Ushtarak i Maqedonisë atë botë, dhe pas disa muajsh Gjyqi i Beogradit e dënon me dënim vdekje, por ai arriti të largohet nga burgu dhe nëpër male mbërriti në Mat e Lumë në Shqipëri, atje bashkohet me patriotët e tjerë shqiptarë.
Murat Labënishti, sipas të dhënave nga familjarët e tij, vdes në vitin 1946. Në këtë mënyrë u shua jeta e një intelektuali të ri, poeti, publicisti, sociologu, filozofi, gazetari, përkthyesi dhe politikani, i cili gjithë jetën e vet ia kushtoi çështjes kombëtare.

In : Aktuale

Loading...
loading...