LSDM-ja nuk pranon kandidatin e VMRO-DPMNE-së për ministër të Brendshëm në Qeverinë teknik dhe i kërkon opozitës të propozojë emër tjetër. Sipas partisë së Zaevit, zgjedhja e Dragan Kovaçkit në krye të dikasterit të Brendshëm do të ishte jokushtetuese.
LSDM
“Nuk mundet të thirreni në drejtësi dhe të promovoni propozime që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Shkelja e Kushtetutës nuk është dhe nuk mund të jetë as e drejtë, as drejtësi, as parim. E ftojmë VMRO-DPMNE-në të ngrihet në nivelin e detyrës dhe përgjegjësisë të cilën e ka me hyrje në Qeverinë teknike dhe mbetemi të hapur për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme me të cilën nuk shkelet Kushtetuta.”
Në komunikatë citohet fillimisht Neni 97 i Kushtetutës i cili ndalon që një njeri me gradë ushtarake të bëhet ministër. Para këtij vendimi të partisë së kryeministrit Zaev që duket përfundimtar, VMRO-DPMNE-ja kishte bërë të ditur që nuk heq dorë nga propozimi duke kërkuar që procedura të mos prolongohet. Kreu i partisë Hristijan Mickoski në rrjetin social “facebook” reagimin e LSDM-së e sheh si përpjekje për të penguar që dikasteri i Brendshëm të drejtohet nga një njeri profesionist.
… ai do të punojë me ata njerëz profesionistë dhe të guximshëm që nuk tremben dhe e duan Maqedoninë sepse nuk kanë vend rezervë dhe janë jashtë lidhjeve klanore mes nëntokës dhe politikës. Dhe e di që një zgjedhje e këtillë e irriton pushtetin dhe të përjetshmit e tyre të cilët duhet të dinë se i pret kokdhembje e njëjtë me nivelin e gabimeve ndaj ligjit dhe popullit. Për atë e ftoj Qeverinë të mos i shtyjë punët. Frenimi i profesionistit në MPB nuk do t’i ikë humbjes së patjetërsueshme, por do ta shtojë atë- tha Mickoski.
Mickoski një ditë më parë u propozoi Zaevit dhe Ahmetit, Dragan Kovaçkin, për ministër të Brendshëm teknike. Ai është nga radhët e ushtrisë me gradën kolonel. LSDM-ja më herët ka zgjedhur Oliver Spasovskin si kandidat të tyre për kryeministër teknik dhe dy zëvendësministra plotësues, kurse opozita duhet të propozojë edhe emrin e ministrit për Punë dhe Politikë Sociale dhe tre zëvendësministrave në dikasteret që u takojnë me ligj.
Paralelisht, në një intervistë për Agjencinë e lajmeve “MIA”, kryeministri Zoran Zaev ka ngritur çështjen e nevojës së ndryshimit të modelit të Qeverisë së Përzhinës, si formë për të siguruar besueshmërinë në procesin zgjedhor. Bashkë me ndryshimin e modelit zgjedhor ai thotë se ky debat duhet të hapet sa më shpejt që është e mundur. Por, po për “MIA”-n, kreu i opozitës Mickoski thotë se modeli i Qeverisë teknike është i rëndësishëm për krijimin e ambientit minimal për shprehje demokratike në kushte kur pushteti është politizuar fuqishëm. Kreu i BDI-së Ahmeti, ka deklaruar se ndryshimi i modelit aktual për formimin e qeverisë së parazgjedhjeve do të kërkonte një marrëveshje më të gjerë mes palëve.
Fatlume Dervishi