LSDM nuk do të ketë kandidatë për kryetarë në Strugë dhe Kërçovë

Lideri i socialdemokratëve, Venko Filipçe, nuk do të garojë me kandidatë për kryetarë komunash në Kërçovë dhe Strugë, kanë konfirmuar për TV 24 burime të larta partiake nga selia në “Bihac”. Edhe pse Filipçe deri në momentin e fundit e mbajti në pasiguri bazën partiake, tashmë është e qartë se në këto dy qytete LSDM nuk do të nxjerrë kandidatë.
Sipas të njëjtave burime, plani është që Filipçe të qëndrojë pas kandidatit të preferuar të Hristijan Mickoskit në Kërçovë, mjekut Aleksandar Jovanovski, por mbetet e paqartë nëse do ta bëjë një mbështetje të tillë edhe publikisht. Për Strugën, ndërkohë, jozyrtarisht flitet se po zhvillohen bisedime me BDI dhe me VLEN për mbështetje, ndërsa në këmbim LSDM do të kërkojë përkrahje për kandidatët e saj në Kumanovë dhe Krushevë.
Sipas informacioneve të TV 24, baza e LSDM-së në Kërçovë dhe Strugë ka insistuar që të kenë kandidatë për kryetarë, një kërkesë që është ndarë edhe nga disa funksionarë lokalë të këtyre qyteteve.
Në Strugë, përveç LSDM-së, as VMRO-DPMNE nuk do të ketë kandidat për kryetar komune. Ata kanë vendosur të mbështesin biznesmenin Mendi Qyra, i cili tashmë ka marrë përkrahjen edhe nga partnerët e koalicionit të VMRO-DPMNE-së, grupi prej tre partive të VLEN-it.
Qyrës në garë do t’i kundërvihet kandidati i Frontit Europian, Arsim Dalipi, si dhe deputetja e Levicës, Jovanna Mojsoska.
Ndërkohë, në Kërçovë, Aleksandar Jovanovski do të garojë kundër kryetarit aktual Fatmir Dehari nga BDI dhe ministrit të punës dhe politikës sociale, Fatmir Limani nga VLEN.





























