LN ARCHITECTS
BLENDI PETROL
Aktuale

Lulzim Nasufi reagon pas katastrofës së Koçanit:Po Komuna e Strugës a garanton sigurinë e lokaleve dhe diskotekave?!

TRAGJEDIA E KOÇANIT – KATASTROFË E SISTEMIT DHE KATASTROFË INXHINIERIKE

Një mësim i rëndë dhe tragjik për shtetin, institucionet, agjencitë, inspektoratet shtetërore, kryetarët e komunave, profesionistët, pronarët dhe menaxherët e klubeve, kabareve dhe diskotekave. Humbja e jetëve të fëmijëve dhe njerëzve të pafajshëm është një pasojë e drejtpërdrejtë e dështimeve sistematike dhe mungesës së kontrolleve.

Në një “kasolle” me një sipërfaqe prej 300 m², që lë shumë për të dëshiruar dhe nuk i plotëson as kushtet minimale për të pritur njerëz, janë shitur 250 bileta, ndërsa brenda janë futur mbi 500 persona.

Pa hyrë shumë në detaje, që në analizën fillestare konstatohen shumë parregullsi, lind pyetja: “Si është e mundur të lejohet të funksionojë një kabare apo diskotekë, 40 minuta larg Shkupit, në këtë gjendje dhe pa asnjë kontroll?”

Ja ku çalon sistemi në përgjithësi dhe objekti në veçanti:

  • Një kabare-diskotekë me licencë të falsifikuar, me mbështetjen e zyrtarëve përgjegjës.
  • Objekti kishte vetëm një derë të ngushtë për hyrje-dalje, me një sistem hapjeje jashtë standardeve dhe rregullores, e ngjashme me një derë tuneli apo shpelle.
  • Pa elaborat për mbrojtje nga zjarri, vetëm me dy bombola zjarrfikëse dhe pa sistem kundër zjarrit (sprinkler), i cili është i domosdoshëm për objekte të kësaj natyre. E gjithë situata u pasqyrua qartë në videon ku një person përpiqej të shuante zjarrin me një bombol dore.
  • Pa skemë evakuimi dhe pa shenja orientuese për dalje emergjente, çka bëri që njerëzit të shtypeshin nga paniku për t’u shpëtuar flakëve.
  • Menaxhues të paaftë për të vepruar në raste emergjente, duke lejuar vazhdimin e muzikës dhe regjistrimin e videos së zjarrit në vend që të evakuonin njerëzit dhe të fiknin energjinë elektrike për të aktivizuar dritat e emergjencës.
  • Futja e të miturve, pavarësisht pranisë së policisë. Mes viktimave kishte edhe fëmijë 14-vjeçarë.
  • Orari i dyshimtë i punës, ku diskotekat duket se funksionojnë deri në ora 04:00 pa vendim nga Këshilli i Komunës. Fatkeqësia u raportua tek organet e rendit në ora 02:30.
  • Materiale ndërtimi të rrezikshme, duke përdorur stiropor në vend të leshit të gurit dhe pllaka të lira druri në vend të pllakave të gipsit rezistente ndaj zjarrit.
  • Tavan i mbuluar me eternit/sallonit (çimento azbesti), i cili në rast zjarri shpërthen, lëshon gazra toksikë dhe krijon panik.
  • Mungesë sigurie, asnjë roje për të kontrolluar rendin brenda dhe jashtë objektit, sidomos kur janë përdorur fishekzjarre në një ambient me lartësi prej vetëm 3 metra.

Po Komuna e Strugës, e drejtuar nga një NON GRATË për shkak të korrupsionit madhor, si qëndron me sigurinë e lokaleve, klubeve, kabareve dhe diskotekave të ngjashme në Strugë?!

Zotërinj…
Lini lojërat politike dhe merruni me thelbin e problemit, përpara se të ndodhë ndonjë tragjedi tjetër. Mjaft jetë njerëzish dhe fëmijësh janë djegur në këtë vend!

Lulzim Nasufi

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button