“Makina me timon ‘gjarpri’ del në ankand – Komuna e Strugës nxjerr në shitje Audi A6, mbi 21 mijë euro çmimi fillestar”

Strugë – Makina e shumëpërfolur e ish-kryetarit të Komuna e Strugës, e njohur në opinion si vetura “me timon me lëkurë gjarpri” apo “makina e bukur”, do të dalë zyrtarisht në ankand publik.
Bëhet fjalë për një automjet tip Audi A6, i cili do të shitet përmes ankandit elektronik më 16 mars 2026, me fillim nga ora 10:00, në platformën shtetërore e-stvari.mk. Shpallja nr. 1/2026 për shitjen e sendeve të tundshme – automjet motorik rrugor (shpallja e parë) është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare.
Sipas vlerësimit të ekspertit të autorizuar, çmimi fillestar për ofertim është 1.344.636 denarë, respektivisht rreth 21.800 euro.
Nga Komuna bëjnë të ditur se mjetet e siguruara nga shitja do të destinohen për blerjen e një furgoni, i cili do të shërbejë për nevojat e administratës komunale dhe klubeve sportive në qytet.
Njëkohësisht, theksohet se kryetari aktual, Mendi Qyra, që nga marrja e detyrës nuk ka shfrytëzuar asnjë nga automjetet e parkut vozitës të komunës, me qëllim racionalizimin e shpenzimeve.
Nga Komuna përgënjeshtrojnë edhe pretendimet e mëhershme në opinion se vetura ishte vlerësuar nën çmimin e tregut, duke theksuar se çmimi fillestar është përcaktuar nga ekspert i licencuar.
Të gjitha palët e interesuara mund të marrin pjesë në ankandin elektronik, ku do të publikohen edhe specifikacionet e detajuara dhe dokumentacioni përkatës i automjetit.





























