“Maqedonasja” është “përgjysmë” shqiptare

Kur të përmendet kombëtarja “maqedonase” në futboll, ajo nuk nënkupton vetëm lojtarët e etnitetit maqedonas, por të gjithë ata që kanë lindur dhe jetojnë e luajnë gjithandej e nëpër ligat evropiane e që janë nga Maqedonia V. Edhe ai raportuesi i MTV-1-shit, sado euforik e sado që tingëlloi sikur doli nga binarët, në fund të ndeshjes me Gjeorgjinë tha: “Kjo është porosi nga të gjithë maqedonasit e krishterë, shqiptarët, turqit…”

Nga Daut DAUTI

Më pëlqeu postimi në Facebook i kolegut nga KOHA, Arben Ratkoceri, i cili si më të merituar për kualifikimin e kombëtares së Maqedonisë (të enjten mbrëma mundi Gjeorgjinë në Tbilsin e vet!), i përmendi kapitenin Goran Pandev dhe kryetarin e LFMV-së, Muhamed Sejdinin. Sigurisht se ka shumë të vërtetë në këtë konstatim, sepse gjërat që mbeten të shkruara në kronikë, kanë ndonjë fakt që nuk mund ta anashkalosh. Kuptohet, në listën e të merituarve për suksesin historik të futbollit te ne, ka dhe shumë emra që duhet shtuar.

Në jetë nuk ndodh përherë të korrësh atë që mbjell, dhe në sport mund të ndodhë që gjenerata të tëra të jenë përpjekur, por nevojitet një “diçka” që mungon, dhe vjen një rast tjetër që kur nuk e pret, të vjen si dhuratë prej qielli, dhe jetësohet. Natyrisht, vjen ajo prej qielli, nëse vetë i ke bërë përpjekjet më parë.

Në rastin e kombëtares së “vogël” të Maqedonisë Veriore në futboll, disa gjëra janë më tepër se fakt, sepse, ato do të mbeten përjetë të pandryshuara. Kështu, kronika do ta shënojë faktin se kryetar i Lidhjes Futbollistike, në kohën kur u realizua ëndrra e shumë gjeneratave, ka qenë një shqiptar, Muhamed Sejdini, i cili erdhi në do rrethana të çuditshme dhe mbeti kaq vjet. Ai do të mbetet pjesë e historisë, ndonëse, nëse duam të jemi të sinqertë, futbolli as para e as në kohën e tij në Maqedoni nuk arriti t’i mbushë stadiumet, dhe kjo mbetet një çështje për të cilën duhet punuar ende. Se në Shqipëri e Kosovë, dalëngadalë kanë filluar të mbushen stadiumet, e këtu mbeten të shkreta(nuk është problemi i pandemisë që i ka zbrazur stadiumet në gjithë botën).StrugaLajmStrugaLajm

Në kohën kur u realizua ëndrra, seleksionues qe IgorA ngellovski. Nuk mund të thuhet se është më i mirë se Gjoko Haxhievski, Gjoko Jovanovski, Andon Donçevski, Ilievski, Çede Janevski, Sllobodan Santraç, Sreqko Katanec, Xhon Toshak, Stratev… por historia e tregon se ai ndër të gjithë, është më i suksesshmi. Një strateg i qetë dhe punëtor, me përkrahjen edhe të Sejdinit, ja, arriti një objektiv dekadash, në mos shekullor.

Kur Arbeni e përmend Pandevin, një nga meritat për kthimin e tij pasi para disa vjetësh e shpalli “pensionimin”, i takon pikërisht Igor Angellovskit. Si e bindi, meqë e lutnin edhe kolegët para tij, nuk e di. Por, gjithsesi, përvoja e Pandevit, u ndihmoi shumë lojtarëve të tjerë, që talentit të tyre u nevojitej një autoritet me bagazh kampioni (ishte me Interin e Murinjos, një nga lojtarët kyç!) që t’i udhëheqë në shtigjet e suksesit.

Të mos harrojmë gjëra të tjera që janë për t’u përmendur, e nuk janë pa rëndësi. IgorAngellovskit i shkoi përshtati edhe një rastësi: ndërrimi i mënyrës së garave kualifikuese, i cili ishte menduar t’u japë shanse edhe kombëtareve të “vogla”. Mos më pyetni, se ende nuk e di se si funksionon ky sistem garues, por kjo më nuk ka rëndësi, Maqedonia e Veriut, e shfrytëzoi momentin e vet historik, të cilin nuk e shfrytëzoi bie fjala Kosova, edhe pse gjithë mendonin se për nga cilësia, i ka shanset më të mëdha.StrugaLajm

Jo për t’i gjetur behane suksesit të Maqedonisë, por për ta plotësuar mozaikun me atë “gjënë” që sikur piku nga qielli, që më parë u ka munguar gjeneratave të Nexhmedin Memedit, Artim Shaqirit, Lupço Markovskit, po edhe Darko Pançevit nga fillet e kombëtares së Maqedonisë së pavarur. Ajo “gjëja” nga “qielli” kësaj radhe kishte në arenën e Tosho Proevskit, në një gërshetim situatash që i shkuan në favor, ose që diti Maqedonia e Veriut t’i shfrytëzojë. Përveç atij sistemit të garave(liga e kombeve), kësaj radhe edhe e keqja më e madhe e njerëzimit në këtë vitin e fundit, pandemia, ishte në të mirë të Maqedonisë! Sepse, kushedi çka do të kishte ndodhur po të luhej ndeshja Maqedoni-Kosovë në terminin e paraparë më parë(26 mars 2020). Njëherë ishte çështje që të mbahej me publik, por pastaj pa publik, po pastaj një shtyrje, dhe më vonë edhe një. Nuk do mend se për nga cilësia këto dy reprezentacione ishin të ngjashme, por sukseset që kishte arritur në grupin kualifikues Kosova me reprezentacione shumë më të forta se vetë ajo(Bullgari, Mal i Zi…), që shquhej me një entuziazëm dhe elan të paparë, qe bërë e frikshme. Po të luhej ndeshja në kulmin e formës, në ritmin e sukseseve, shumëkush Kosovën e shihte si favorite.

Pas të gjithave, poashtu rastisi që për shkak të situatës me Covid 19-shin, dhe lëndimeve, t’i mungojnë Kosovës lojtarët e saj më të shtrenjtë në tregun evropian, Milot Rashica dhe Vedat Muriqi. Mungesa e tyre ishte një plus i madh për Maqedoninë dhe të gjithë e kemi parë atë ndeshje pa publik në Shkup, para së gjithash faktori Pandev i fascinoi edhe raportuesit kosovarë të cilët habiteshin se si një 37 vjeçar vrapon më shumë se 25-26 vjeçarët kosovarë. Kjo ishte një e vërtetë e madhe, një motivim maksimal i lojtarëve të Maqedonisë, të prirë nga më “plaku” në fushë, i cili doemos me shembullin e tij do t’i motivonte më të rinjtë.

Një rastësi tjetër jo e parëndësishme, kjo gjithsesi duhet të jetë edhe rezultat i strategjisë së LFM-së(Sejdini…) dhe qasjes joselektive nga vetë seleksionuesi(I.Angellovski), është tubimi i lojtarëve më cilësorë nga ligat evropiane e përtej, ku si për (jo) rastësi, e kanë ndryshuar strukturën etnike të 11-shes standarde, në proporcionin përtej Marrëveshjes së Ohrit dhe ajo tash duket 5+5+1, pra, pesë maqedonas, pesë shqiptarë dhe një turk, të cilët funksionojnë si një orkestër i harmonizuar në çdo pikëpamje. Ky reprezentacion do të ishte shumë i dobët pa një Enis Bardhi të La Ligës e Arjan Ademin që vazhdimisht me Dinamon e Zagrebit luan në kupën e kampionëve, pa Ezxhan Aliovskin e Premier Ligës, Elif Elmazin e Napolit, që të katërt kreatorë të lojës, pa dy stoperët e mbrojtës, Bejtullahi e Visar Musliun, por, kuptohet, as pa Ristovskin, Vellkovskin, Triçkovskin, Sotirovskin e Pandevin veteran…Dhe kjo, për asnjë dashamirë sportiv nuk është halë në sy, përveç atyre budallenjve të tribunave(“komitëve”, “vojvodëve”, “çkembarëve”…), të cilët më me dëshirë do të donin që Maqedonia të mos shkonte askund përpara përderisa nuk është etnikisht e pastër! (Nëse ju kujtohet, këta budallenj nacionalistë, dijtën t’ia prishin rehatinë duke pirë kafe me miq në një restorant të Prilepit, njërit nga lojtarët kryesorë, Ezxhan Aliovskit, duke dashur ta përzënë nga lokali!)

Kur të përmendet kjo kombëtare “maqedonase”, ajo nënkupton vetëm lojtarët e etnitetit maqedonas, por të gjithë ata që kanë lindur dhe jetojnë e luajnë gjithandej e janë nga Maqedonia. Atributi “maqedonase” edhe në sport, edhe në politikë, edhe në shoqëri, në një shoqëri të përzier etnike, kur niset nga përkatësia shtetërore, nuk mundet asnjëherë të barazohet vetëm me maqedonasit etnikë. Të mos hyjmë më thellë në politikë e histori se kjo është temë tjetër, të mos e prishin frymën sportive… Edhe ai raportuesi i MTV-1-shit, sado euforik e sado që tingëlloi sikur doli nga binarët, në fund të ndeshjes me Gjoegjinë tha: gëzohu Maqedoni, na pritni ju që na keni kontestuar edhe gjuhë, edhe emër e mbiemër, ju që ne ua kemi dhënë shkrimin(aman, aman!) “kjo është porosia e maqedonasve të krishterë, shqiptarëve, turqve…Ka të ngjarë që emocionet e tij shpërthyen si përgjigje kontestimeve të fundit bullgare, por e vërteta është se nuk i përmendi vetëm maqedonasit, por dhe të tjerët. Askush mbase nuk mund të ikë nga realiteti.

(Të bëjmë shaka, s’është pa rëndësi, që Maqedonia shkon në Kampionatin Evropian(Serbia, Kosova, e Shqipëria jo), kur në krye të Qeverisë ishte Zoran Zaevi, partner koalicioni Ali Ahmeti, kryetar shteti Stevo Pendarovski, e kur Nikolla Gruevski është azilant në Budapest, e Katica Janeva në burg, e Fatime Fetai në liri…!)

In : Aktuale

Loading...
loading...