Maqedonia, bota e çudirave!

Të paktën një gjë që di e mund ta them, kjo është një çudi, e turpshme, e poshtër, aspak demokratike, që nuk sjellë asnjë inovacion, por është pjesë e hallkës së prangave shoviniste të regjimit të vjetër! Nëse kanë alibi se kompanitë shqiptare nuk kanë konkurruar, e pyes ministrin e Ekonomisë se a ka bërë ndonjë veprim për t’i nxitur?! Është skandaloze, përçmuese, ofenduese që nga 79 grante të fituara vetëm 2 janë ndarë për Maqedoninë Perëndimore ku vetëm ai Tetovës është me pronar shqiptar!

Nga Dr. Arben TARAVARI

Ky titull aspak racional fton menjëherë të mendosh për ndonjë fenomen paranormal. Ndonjë ndodhi klimaterike të radhë që ka ndodhur këtu tek ne, a ndonjë Zoti e dhëntë invencion shkencor e deri tek Zoti mos e dhëntë, ndonjë profeci e zezë shpallur nga ndonjë mendje me lajthitje klinike! Por jo, asnjë nga të tre opsionet e rreshtuara nuk provokoi titullin iracional “Maqedonia Bota e Çudirave”.

Çuditë ose Habitë këtu tek ne janë të një karakteri krejtësisht objektiv, ato bëhen me mendje të kthjellët, ditën me diell nga madje njerëz që janë kualifikuar si persona të aftë për të qënë shefa (boss-a në anglisht), drejtorë por që në rastin tonë është hierarkia e Shefit në një pozitë më të lartë dhe ministrit që është thjesht Shefi i Madh, rikujtojmë që fjala Shef përkthehet Boss në anglisht, është një nga versionet e përkthimit në gjuhën angleze por që i shkon më mirë rastit të Maqedonisë. E si përfundim, kjo tufë shefash, drejtorësh, ministrash, pra kjo tufë Boss-ash politik kanë vendosur të bëjnë Çudira!

Aspak të mira! Po të funksiononte ligji si duhet ato nga Çudi do quheshin Krime e do të ndëshkoheshin, por meqë Ligji në Maqedoni ka nevojë për transfuzion total, ka vështirësi në gjetjen e gjakut të pastër ligjor, e kështu derisa sa të shërohet Drejtësia, Ligjin e kemi sëmurë. Është naive të shpjegojmë se çfarë ndodh me një Shoqëri kur Ligji dergjet në shtrat!!! Kështu Krimi i çfarëdoshëm kthehet në Çudi, dhe ne e dimë të gjithë se ÇUDIA MË E MADHE TRE DITË ZGJAT… Por meqë kjo Çudia e radhës dëmton si zakonisht drejt për drejt cilësinë e jetës së njerëzve, le t’i hedhim një sy:

Në Maqedoni ka një fond, quhet “Fondi për inovacion dhe zhvillim teknologjik”(Fond za inovacii i tehnoloshki azvoj-FITR). Që Zoti ia shpërbleftë, ky fond ka dhënë grante (më thjesht para), ka dhënë plot 10.5 milion euro ose 638 milionë denarë! Këtë shifër gjigande për ne varfanjakët e Maqedonisë e ka dhënë pasi është bërë shpallja e parë publike ku është lajmëruar njerëzia se në kuadër të planit të tyre ekonomik, jepen këto para për të mbështetur ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme. Deri këtu asnjë Çudi, madje sa mirë! Të duket se je në një vend evropian ku fondacionet bëjnë me fisnikëri punën e tyre! 79 ndërmarrje përfituan nga këto para. E tani vini re, kujdes se tani fillon Çudia:

Sipas të dhënave kanë provuar fatin në këtë konkurs 236 kompani, kanë fituar si përmenda më lart, 79. Gjithsej paratë kanë shkuar në 17 qytete të Maqedonisë ku dominon kryeqyteti me 49 ndërmarrje, e më pas si duket nga një afinitet i madh për Prilepin, direkt në vend të dytë renditet pikërisht ky qytet, duke marrë pas Shkupit pjesën më të madhe të mbështetjes, e pas 6 ndërmarrjeve të Prilepit vjen direkt Manastiri me 5 ndërmarrje të mbështetura, Ohri me 4 e kështu me radhë kanë fituar fonde ose pjesë nga këto para qytete si Sveti Nikolla, Krusheva, Bogdanci, Koçani… Ju lumtë! Nuk dua të bëj gjueti shtrigash! E kanë merituar dhe ndaj kanë fituar!

Doli dhe nuk kishte si mos të dilte edhe kryeministri, doli dhe tha: “Kjo ditë është simbol për një të ardhme të përbashkët që na pret pas anëtarësimit në NATO. Kjo e ardhme ofron mundësi të pafundme që do të ndikojë fuqish në zhvillimin e frymës së ndërmarrjes dhe kreativitetit të qytetarëve tanë”. I lumtë goja, fjalë të mençura dhe me vend nga një burrë shteti, vetëm se z.Kryeministër ndoshta ka harruar që në shtetin e tij ka disa vende që si për fatin e tij të keq banohen nga shqiptarë. Them për fatin e tij të keq pasi shqiptarët ishin ata që i dhanë besën me anë të votës kryeministrit, dhe ata që nuk e votuan, e besuan, e tani del sikur Zoti mos e dhëntë, po i mashtron Kryeministri, po i pret në besë themi ne shqiptarët!

Nga plot 79 ndërmarrje fituese, në rajonin e Pollogut ka fituar grant vetëm 1 (një) biznes nga Tetova! Si është e mundur? Kur zv/kryeministri Angjushev deklaronte se: “Këto grante do të rrisin inovacionin me qëllim që kompanitë tona të zhvillohen dhe të jene të suksesshme”- sigurisht nuk e ka pasur për asnjë kompani që ndodhet në Gostivar, për asnjë nga dhjetëra kompanitë që ndodhet në Tetovë. Kemi dalë jashtë hartës së z.Angjushev dhe z.Zaev…

Drejtori i Fondit për inovacione, Jovan Despotovski, madje ishte në kulmin e gëzimit duke ditur që shqiptarët e Pollogut janë lënë jashtë derës së investimeve, ai tha: “Jemi krenar që nëpërmjet kësaj vale investuese do të hapen 245 vende pune me rrogë mesatare prej 800 euro”. Turp e pafytyrësi! Krenar që nga 245 vende punë dhe 800 euro rrogë janë përjashtuar shqiptarët, në të gjithë Maqedoninë Perendimore ku jetojnë kryesisht shqiptarët ka vetëm dy kompani fituese (Kërçovë dhe Strugë)! Sa pak…sa keq…sa gjynah! Nga 79 projekte të ndahen vetëm 3 për Komunat ku ka drejtues shqiptarë?! Gostivari, Dibra, Kumanova nuk kanë përfituar asnjë projekt!

Çfarë është ky?! Krim social?! Diskriminim?! Vazhdimi i strategjisë shekullore për zhdukjen e shqiptarëve?! Të paktën një gjë që di e mund ta them, kjo është një çudi, e turpshme, e poshtër, aspak demokratike, që nuk sjellë asnjë inovacion, por është pjesë e hallkës së prangave shoviniste të regjimit të vjetër! Nëse kanë alibi se kompanitë shqiptare nuk kanë konkurruar, e pyes ministrin e Ekonomisë se a ka bërë ndonjë veprim për t’i nxitur?! Është skandaloze, përçmuese, ofenduese që nga 79 grante të fituara vetëm 2 janë ndarë për Maqedoninë Perëndimore ku vetëm ai Tetovës është me pronar shqiptar!!!

Shpresoj që klani i BOSS-ave të bëhet i ndërgjegjshëm që asnjë veprim i pandershëm nuk i shpëton ndëshkimit, i cili vjen shumë shpejt, në ditën e votimeve!

In : Aktuale

Loading...
loading...