Maqedonia e Veriut e gatshme të pranojë refugjatë ukrainas

Në rrjetet sociale po shtohen postimet e qytetarëve nga Maqedonia e Veriut që shprehin gatishmërinë e tyre për t’iu ofruar strehim refugjatëve nga Ukraina, të cilët po ikin pas shpërthimit të luftës më 24 shkurt.

Një nga këta persona që ka postuar një mesazh të tillë në rrjetet sociale është edhe Ana Mitrejçevska nga Manastiri. Ajo thotë se mund të strehojë dy apo tre persona nga Ukraina.

“Tash e disa vjet punoj në projekte të ndryshme të organizatave joqeveritare, me ç’rast kam njohur shumë miq nga e gjithë bota, përfshirë edhe nga Ukraina. Më është paraqitur një shoqe që dëshiron të vijë me motrën e saj e cila ka edhe një fëmijë, por problem është rruga se si të arrijë deri këtu”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ana Mitrejçevska.

Ndërkaq, nga Kryqi i Kuq në Maqedoninë e Veriut thonë se janë të gatshëm të strehojnë refugjatë nga Ukraina dhe përveç strehimit, ata po bëjnë përgatitje që këtyre personave – nëse vijnë në Maqedoninë e Veriut – t’iu ofrojnë edhe ndihmë mjekësore dhe mbështetje psikologjike.

“Tashmë kemi hartuar edhe një plan për pranimin e një vale eventuale të refugjatëve nga Ukraina. Për momentin, në shtetin tonë ende funksionin ‘Rruga Ballkanike’, që do të thotë se ekipet tona janë në terren dhe se nuk ka nevojë për ndërtimin e një sistemi të ri të veprimit të Kryqit të Kuq, përpos që të do të bëjmë një përditësim të sistemit aktual”, thotë Suzana Tuneva-Paunovska, përfaqësuese e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut.StrugaLajm

Qeveria e gatshme të strehojë refugjatët nga Ukraina

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se është marrë një vendim për pranimin e një kontingjenti të refugjatëve nga Ukraina.StrugaLajm

“Sa jemi të përgatitur? Do të thosha aq sa i kemi edhe kapacitet. Kjo nënkupton se si në të kaluarën ashtu edhe tani, Maqedonia e Veriut është e gatshme të pranojë, madje ka marrë dhe një vendim Qeveria që të pranojë një kontingjent refugjatësh nga Ukraina. Këtë e ka bërë në koordinim Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, me çka e para merret me evakuimin dhe transportimin e tyre, kurse kjo e dyta është e angazhuar me sigurimin e strehimit në vendin tonë derisa të ndryshohet situata”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhemail Çupi, ministër i Diasporës.

Hotelierët ofrojnë 6,000 shtretër për refugjatët nga Ukraina

Ndërkaq, Shoqata e Hotelierëve në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se 10 për qind e kapaciteteve të hoteleve, përkatësisht 6,000 shtretër mund të vihen në dispozicion të refugjatëve nga Ukraina nëse shfaqet nevoja për strehimin e refugjatëve nga Ukraina, pas nisjes së pushtimit të këtij shteti nga Rusia.

“Në këto momente, patjetër secili me forcën e vet duhet të ndihmojë. Megjithatë, pas goditjes që mori sektori i hotelerisë nga kriza e pandemisë, dikush duhet të qëndrojë si mbështetje pas nesh, qoftë shteti apo Bashkimi Evropian, me atë që ne të mund t’i shërbejmë këta qytetarë kur ata kanë më së shumti nevojë”, thotë Kërste Bllazhevski nga kjo shoqatë.

Sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, në njëmbëdhjetë ditët e luftës në Ukrainë, mbi 1.5 milion ukrainas janë larguar nga shteti./REL/

In : Aktuale

Loading...
loading...