Maqedonia, në top-tre vendet e para në Evropë për pirjen e duhanit
“Për fat të keq, kjo sëmundje është e shpeshtë në Maqedoni. Shkaku kryesor për këtë është pirja e duhanit. Maqedonia e Veriut është mes tre të parave në Evropë për pirjen e duhanit dhe konsiderohet se 45 për qind e popullatës së rritur në Maqedoni janë duhanpirës”, tha drejtori i Institutit për sëmundje të mushkërive dhe tuberkulozit, Dimitar Karkinski
Albina REKA
Shkup, 20 nëntor – Dita Botërore e Sëmundjes kronike obstruktive të mushkërive (HOBB) është shënuar dje, ndërsa qëllimi ka qenë të ngritet vetëdija për rëndësinë dhe ngarkesën socio-ekonomike të sëmundjes. Nga Shoqata respiratore e Maqedonisë theksojnë se një numër i madh faktorësh e shkaktojnë këtë sëmundje, por para së gjithash ato janë ndotja e ajrit dhe pirja e duhanit.
“HOBB është problem i madh i ditëve të sotme. Në botë, nga kjo sëmundje vuajnë mbi 400.000.000 njerëz dhe për fat të keq, numri i tyre vazhdimisht po rritet. Çdo vit, për shkak të sëmundjes HOBB vdesin nga 3.5 milionë njerëz, ndërsa prevalenca dhe vdekshmëria janë më të mëdha në vendet e pazhvilluara. Numër i madh faktorësh e shkaktojnë këtë sëmundje, para së gjithash ndotja e ajrit, pirja e duhanit, ekspozimi profesional, si dhe ekspozimi ndaj tymit nga djegia e biomasave dhe materiet artificiale kimike”, theksojnë nga kjo shoqatë.
Kontrolle falas me rastin e Ditës së sëmundjes kronike obstruktive të mushkërive (HOBB) u mbajtën edhe të hënën në “Siti Moll” në Shkup. Drejtori i Institutit për sëmundje të mushkërive dhe tuberkulozit, Dimitar Karkinski, sqaroi se nëse merren parasysh statistikat botërore, në shtetin tonë do të kishte minimum 100.000 të sëmurë.
“Për fat të keq, kjo sëmundje është e shpeshtë në Maqedoni. Shkaku kryesor për këtë është pirja e duhanit. Maqedonia e Veriut është mes tre të parave në Evropë për pirjen e duhanit dhe konsiderohet se 45 për qind e popullatës së rritur në Maqedoni janë duhanpirës. Për fat të keq, vetë pacientët nuk e dinë se e kanë këtë sëmundje kronike obstruktive të mushkërive, që do të thotë se kanë simptoma, por ose nuk i njohin ose i injorojnë, ndërkaq këtë e dimë, sepse nuk kemi numër të tillë të pacientëve të cilët vijnë për kontrolle, ndërsa në konsultime me Fondin e shëndetësisë, as nuk jepet numër i tillë i barërave që do të duhej t’i merrnin këta pacientë”, sqaroi Karkinski.