Maqedonia vendi i tretë në rajon për emigracion – janë larguar 34% e popullsisë

Katër vende të Ballkanit Perëndimor janë mes 20 vendeve të para në botë me rënien më të madhe të popullsisë, duke e bërë rajonin zonën më të rëndësishme të depopullimit në Evropë, për shkak të normave të ulëta të lindshmërisë dhe emigracionit më të lartë se imigracioni.
Sipas hulumtimit të Armas (2023), që shqyrton trendet aktuale dhe vlerëson se ndërmjet viteve 2020 dhe 2050 popullsia në Serbi do të bjerë me 19%, në Bosnje dhe Hercegovinë me 18.2%, në Shqipëri me 16% dhe në Maqedoninë e Veriut me 11%. Nga këto 20 vende, vetëm Japonia (16,3%) dhe Kuba (10,3%) nuk janë nga Evropa Jugore, Juglindore apo Lindore. Rajoni i Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore kryeson listën jo vetëm për shkak të rënies së normave të lindshmërisë, por edhe për shkak të nivelit të lartë të emigracionit që tradicionalisht e karakterizon këtë rajon.
Serbia e para për depopullim
Serbia është ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor që përjeton tkurrje dhe plakje të popullsisë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, popullsia e Ballkanit Perëndimor ka qenë në rënie të vazhdueshme nga viti 1990 deri më 2021. Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina janë goditur më rëndë nga kjo rënie, me humbje të popullsisë prej 25% dhe 30%, respektivisht. Tkurrja ekstreme e popullsisë në Shqipëri është veçanërisht shqetësuese, pasi vendi nuk u përfshi në konflikte të armatosura, edhe pse vala e emigrimit nisi menjëherë pas hapjes së kufijve në vitet ’90, pas rënies së socializmit. Rënia e shpejtë e popullsisë është pjesërisht pasojë e rënies së normave të fertilitetit, në përputhje me trendet e Evropës Perëndimore. Përqindjet mund të ndryshojnë sipas vendit, por trendi i përgjithshëm i rënies së popullsisë është i përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Normat e ulëta të fertilitetit theksojnë progresin e depopullimit natyror dhe nivelin shumë të ulët të zëvendësimit të popullsisë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë larg pragut prej 2.1 fëmijë për grua, që nevojitet për riprodhim natyror të popullsisë. Në mesatare, norma e fertilitetit në rajon është vetëm 1.5 – e ngjashme me mesataren e BE-së, por më e ulët se disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore. Në vitin 2023, norma e fertilitetit ishte: 1.37 në Bosnjë dhe Hercegovinë, 1.47 në Maqedoninë e Veriut, 1.55 në Shqipëri, 1.42 në Serbi dhe 1.74 në Mal të Zi.
Situata nuk është përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit. Në vitin 2021, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor normat e fertilitetit mbetën shqetësuese, veçanërisht për Bosnjën dhe Hercegovinën me vetëm 1.26 – norma më e ulët e fertilitetit në botë për atë vit.
Rritet norma e mortalitetit
Kuptimi i mortalitetit është i rëndësishëm për hartuesit e politikave për të propozuar reforma të qëndrueshme të pensioneve dhe për të adresuar pabarazitë socio-ekonomike. Sipas OKB-së, që nga vitet ’90, jetëgjatësia ka shënuar rritje të ndjeshme në Ballkanin Perëndimor: 79.6 vjet në Shqipëri, 77.9 vjet në Bosnje dhe Hercegovinë, 77.4 vjet në Maqedoninë e Veriut, 77.1 vjet në Mal të Zi dhe 76.8 vjet në Serbi në vitin 2023. Krahasuar me vitet 1990, rritja e jetëgjatësisë është 6.5 vjet për Shqipërinë; 5.6 për Bosnjën; 6.2 për Maqedoninë e Veriut; 3.2 për Malin e Zi dhe 4.6 vjet për Serbinë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë këtë trend të zvogëlimit të popullsisë me pjesën tjetër të Evropës. Përveç uljes së lindshmërisë, rajoni vuan edhe nga emigrimi për shkak të konflikteve dhe vështirësive ekonomike. Bilanci natyror i Ballkanit Perëndimor është i ngjashëm me mesataren e BE-së, por ndryshe nga BE, në Ballkan emigracioni neto është thellësisht negativ. Problemi kryesor mbetet mungesa e një sistemi të organizuar për mbledhjen e të dhënave të sakta për emigracionin. Shumë studime tregojnë se pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po përjetojnë emigrim masiv, çka vë në pikëpyetje saktësinë e të dhënave zyrtare. Definicionet e ndryshme të popullsisë rezidente dhe bojkoti i regjistrimeve në disa vende e vështirësojnë më tej pasqyrimin e saktë të situatës. Në disa raste, vendet e fshehin ose modifikojnë të dhënat zyrtare, ndërsa në vende si Maqedonia e Veriut nuk është zhvilluar regjistrim për gati dy dekada. Gjithashtu, vendet nuk kanë regjistër të përhershëm të popullsisë.
Bosnja dhe Shqipëria me numrin më të lartë të emigrantëve
Si rezultat i emigracionit masiv të fëmijëve, të rinjve, fuqisë punëtore dhe grave në moshë riprodhuese, emigracioni ndikon negativisht në rritjen e popullsisë, bilancin natyror, plakjen dhe sjell pasoja sociale, ekonomike e politike. Në tre dekadat e fundit, rajoni përjeton emigrim të gjerë, ku sipas të dhënave të UNDESA-s: Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria kanë përqindjen më të lartë të emigrantëve jashtë vendit, përkatësisht 49% dhe 44% të popullsisë totale, të ndjekura nga Maqedonia e Veriut (34%), Mali i Zi (21%) dhe Serbia (15%).
Rajoni po varfërohet dhe forcat e reja punëtore po largohen. Faktorët kryesorë që i shtyjnë qytetarët drejt emigrimit janë: paqëndrueshmëria politike, korrupsioni, perspektiva e punësimit me paga dhe kushte më të mira jashtë vendit dhe dëshira për standard më të lartë jetese, veçanërisht tek të rinjtë që përballen me varfëri, papunësi dhe përjashtim social.
Në këtë kuadër, CRPM po zhvillon analizë të dinamikës demografike në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut. Po mblidhen të dhëna primare dhe përmes modelimit ekonomik do të vlerësohet se si trendet demografike do të ndikojnë në qëndrueshmërinë e financave, shëndetësisë dhe sistemit të mbrojtjes sociale.