Aktuale

Mashtruesi që “largonte magji” për 400 mijë euro – Arrestohet së bashku me nënën

Policia ka arrestuar një banor të Trubarevës, i cili gjatë tre viteve të fundit u ka marrë rreth 400 mijë euro një çifti nga Berova, duke u paraqitur si “njeri me fuqi të mbinatyrshme” që largon magji dhe forca të liga.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, shtetasi D.I. (54) nga fshati Trubarevë, në periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2025, i ka mashtruar B.D. (76) dhe bashkëshorten e tij M.D. nga Berova, duke u prezantuar si person me aftësi paranormale, “largues magjie” dhe “njeri i Zotit”, që kinse kishte fuqinë për të shkatërruar magjinë e keqe që sipas tij u ishte bërë djalit të tyre dhe po rrezikonte jetën e tij.

Në këto tre vite, çifti u ka dorëzuar para në disa raste në Shkup dhe Berovë, shuma që varionin nga 5.000 deri në 6.000 euro, duke çuar përfundimisht në përfitimin e paligjshëm prej 400 mijë euro nga ana e mashtruesit.

Pas denoncimit nga të mashtruarit, policia në koordinim me Prokurorinë Themelore të Koçanit dhe Njësinë për Kriminalistikë, ka organizuar aksionin ku paratë janë shënuar dhe më pas, dje në Berovë, është arrestuar D.I. dhe nëna e tij D.I. (76) nga Trubareva. Gjatë bastisjes, te nëna e tij janë gjetur 3.000 euro.

Të dyshuarit tashmë përballen me kallëzim penal për veprën penale të mashtrimit të vazhdueshëm dhe janë dorëzuar para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Koçanit.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button