Aktuale

Mbi një tjetër banalitet të drejtësisë veriomaqedonase, rasti Feta Alimi

Bekim Qoku

Dy a tre pikëpyetje rreth rastit të Feta Alimit, pjesëtari i sigurimit të Parlamentit veriomaqedonas, që shpëtoi deputetin Ziadin Sela në momentin kritik, në datën e 27 prillit dhe për pazarin politik në kurriz të drejtësisë. Ai u gjykua dhe dënua për veprën se nuk ka kryer detyrën, dhe nuk ka frenuar turmat që kishin mësy kuvendit. Ai është shqiptari i vetëm që dënohet me rastin e ngjarjeve të 27 prillit 2017.

Muhamed Zeqiri, nënkryetari dhe deputeti i LSDM një ditë më parë bëri këtë pohim, që po e parafrazoj. Tha se Feta Alimi ia dha çelësat e dyerve të kuvendit shefit të tij që ato të kalojnë pastaj në duart e disa deputetëve sllavomaqedonas të partisë së Gruevskit, të cilët më vonëi hapën dyert e kyçura të kuvendit, ku menjëherë u futën turmat e egërsuara të bandës Gruevski-Mihajllkov-Ivanov.

Tani, drejtësia s’ka mundësi të bëhet më banale se kaq: Feta Alimi që i dorëzoi çelësat shefit të tij që ia kishte kërkuar dënohet me 7 vjet heqje lirie, ndërsa deputetët maqedonas që i hapën dyert me ato çelësa amnistohen?! Sipas Zeqirit, ata u falën, sepse me votat e tyre u mundësuan të gjithë ndryshimet që pasuan, siç ishte ndryshimi i kushtetutës. Nuk ka pazar më të ndyrë se kaq në kurriz të drejtësisë.

Këtu përveçse ka shkelje flagrante të drejtësisë, ka edhe defekte logjike. Ja pse. As pa votat e Ziadin Selës dhe partisë së tij nuk bëheshin dot ndryshimet kushtetuese. Pra, shpëtimi i tij (nga Feta Alimi) mundësoi këtë ndryshime. Atëherë pse nuk u bë objekt pazari edhe liria e z. Alimi, por vetëm e deputetëve maqedonas. Falë tij, Ziadini arriti t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Pra këmbimi i votave me amnesti mund të aplikohej edhe për rastin e Alimit.

I biri i Alimit dje deklaroi se atë ditë në kuvend ishin edhe 20 pjesëtarë të sigurimit të kuvendit. Pse u dënua pikërisht vetëm babai i tij, pyet ai me të drejtë. Asnjëri nga ta nuk ishte në krye të detyrës.

A dënua Alimi si kokë turku, sepse duhej domosdo të kishte edhe një shqiptar në mesin e të dënuarve?

Apo u dënua vetëm si formë ndëshkimi apo hakmarrjeje për faktin që shpëtoi Ziadin Selën, deputetin shqiptar më përfaqësues i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, figurën më emblematike të ndryshimeve që pasuan?

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button