”Më nguci në rrugë, më erdhi n’shpi”, profesori nga Suhareka thotë se ish-nxënësja e ngacmoi për 2 vjet

Gjykata ka vendosur t’i caktojë mbrojtës sipas detyrës zyrtare të akuzuarës, A.A se ka ngacmuar profesorin e saj, B.B duke i shkuar edhe në shtëpi e duke i kërkuar lidhje dashurie.

Këtë aktvendim gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, dega Suharekë, Lavdim Bajraktari e ka marrë pas propozimit të prokurorit Fatos Ajvazi, i cili ka thënë se është në interes të drejtësisë t’i caktohet mbrojtësi të akuzuarës marrë parasysh gjendjen e saj emocionale, ekonomike dhe intelektuale.

Gjyqtari Bajraktari seancën e sotme e ka ndërprerë dhe të radhës e ka caktuar më 14 tetor 2021 në ora 9:00, raporton “Betimi për Drejtësi”

Në këtë seancë kanë qenë prezent e pandehura A.A, prokurori Fatos Ajvazi, i dëmtuari B.B dhe mbrojtësi i tij avokati Ruzhdi Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren e pandehura A/A nga dhjetori i vitit 2018 e në vazhdimësi deri më 5 gusht 2020, në vende të ndryshme ka ngacmuar ish-profesorin e saj.

Madje, në aktakuzë, thuhet se e pandehura i ka shkuar edhe në shtëpi të dëmtuarit duke i kërkuar lidhje dashurie.

Tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura e ka ndaluar edhe në rrugë të dëmtuarin, duke tentuar ta përqafojë përkundër kundërshtimit të të dëmtuarit.,

Me këto veprime e pandehura A.A, të dëmtuarit B.B, i shkakton shqetësim të madh emocional. Andaj, me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “ngacmimi” nga neni 182 paragrafi 1 i Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Loading...
loading...











Loading…


loading…