Mendi Qyra: 8 projekte aktive dhe 9 milionë euro investime për Strugën

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka bërë të ditur se aktualisht në territorin e komunës janë në realizim 5 projekte madhore, ndërsa 3 të tjera janë në fazë përgatitore, me një vlerë totale prej rreth 9 milionë eurosh.
Në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Mjedisit Muhamet Hoxha, është vendosur gurthemeli për ndërtimin e sistemit të ri të kanalizimit në Vranishtë, investim ky mbi 91 milionë denarë që synon përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët.
Qyra theksoi se paralelisht janë duke u zhvilluar punimet në rrugën Turistike, si dhe ndërtimi i rrugës dhe shëtitores nga AS Kampet deri te lumi Sateska, projekte që, sipas tij, do t’i japin një dimension të ri zhvillimit urban dhe turistik të Strugës.
Ai ka falënderuar pushtetin qendror për mbështetjen, duke nënvizuar se bashkëpunimi institucional po jep rezultate konkrete në terren.
“Ky është vizioni ynë: më shumë punë, më pak fjalë – zhvillim real për çdo qytetar, për çdo lagje dhe për çdo fshat”, ka deklaruar Qyra.
.gif)




























