Mendi Qyra angazhon kompani për të zbardhur ndotjen e ujit në Struga

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka njoftuar se më 16 shkurt një institucion privat nga Shkup do të kryejë analizat për të përcaktuar shkaqet e ndotjes së ujit në rrjetin e ujësjellësit të qytetit. Institucioni është angazhuar personalisht nga kryetari i komunës, raportojnë mediat.
Sipas Qyrës, Komuna ka ndërmarrë masa urgjente për tejkalimin e problemit, pasi banorët prej rreth një jave nuk mund ta përdorin ujin nga çezmat, i cili po rrjedh i turbullt dhe me ngjyrë kafe të errët. Për këtë arsye, uji është shpallur i papërshtatshëm për pije dhe përdorim.
Ai theksoi se të gjitha institucionet kompetente janë përfshirë në zgjidhjen e situatës dhe shprehu shpresën se brenda pak ditësh do të rikthehet furnizimi normal me ujë të pijshëm.
Kryetari i Komunës adresoi kritika ndaj udhëheqjes së mëparshme të Komunës dhe shërbimeve përgjegjëse, duke vlerësuar se problemi aktual është pasojë e, siç tha, menaxhimit të dobët dhe reagimit të vonuar në të kaluarën.





























