Aktuale

Mendi Qyra: Kanalet e bllokuara do të lirohen, fajtorët do të mbajnë përgjegjësi


Strugë – Pas situatës së krijuar nga reshjet e fundit dhe përmbytjet, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka inspektuar nga afër kanalet mbledhëse dhe kulluese në territorin e komunës.
Inspektimi vjen pas konkluzioneve të dala nga mbledhja paraprake e shtabit për menaxhim me krizat, ku morën pjesë përfaqësues të Inspektoratit Komunal, Drejtorisë së Ujrave, Njësitit Zjarrfikës, si dhe kryetari i Këshillit të Komunës së Strugës. Sipas Komunës, fokusi tashmë është tek veprimi konkret në terren.
Nga Komuna bëjnë të ditur se do të identifikohen të gjitha abuzimet dhe uzurpimet e kanaleve nga persona fizikë dhe juridikë, si dhe bllokimet e shkaktuara nga mbeturinat urbane. Po ashtu, do të parashikohen mjete financiare për pastrimin e tyre në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Çështjet e akumuluara prej dekadash lidhur me mirëmbajtjen e kanaleve pritet të trajtohen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Komunës së Strugës.
Sqarojnë se kanalet kulluese janë në kompetencë të komunës në zonat e urbanizuara, ndërsa në zonat e paurbanizuara janë nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Ujrave. Megjithatë, nga Komuna theksojnë se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të ndërmerren ndërhyrjet më emergjente aty ku paraqitet nevoja.
Duke iu referuar ndryshimeve klimatike, Komuna e Strugës u bën thirrje qytetarëve për përgjegjësi më të madhe, duke theksuar se mbeturinat e hedhura në kanalet kulluese rrezikojnë të shkaktojnë dëme serioze në objektet banesore.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button