Aktuale

Mendi Qyra mbledh krerët e institucioneve : Masa konkrete për trafik, plazhe, qentë endacakë dhe rendin në Strugë gjatë verës


Në prag të sezonit turistik veror, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka zhvilluar një takim koordinues me përfaqësues të policisë, zjarrfikësve, ndërmarrjeve publike, inspektoratit komunal dhe institucioneve lokale, me qëllim përgatitjen sa më të mirë të qytetit për fluksin e vizitorëve.
Në takim u diskutuan sfidat kryesore që shoqërojnë sezonin veror, duke përfshirë trafikun, parkimin, sigurinë publike, funksionimin e lokaleve, qentë endacakë dhe fenomenin e lypjes.
Ndër masat më të rëndësishme të paralajmëruara është vendosja e sinjalistikës së re rrugore dhe semaforëve në dy pika të qytetit, ndërsa policia identifikoi si zona kritike për trafikun aksin “Risto Krle” – “Boro Kallajxhieski”, daljen e qytetit drejt Veleshtës dhe rrugën “Partizanska”.
Si zgjidhje afatgjatë për lehtësimin e komunikacionit u prezantua projekti për rrugën e re që do të lidhë Strugën me Morovishtën dhe vendbanimet përreth.
Komuna njoftoi gjithashtu se do të mbyllen hyrjet dhe daljet e paligjshme të automjeteve në zonat e plazheve, në bashkëpunim me NPK “EKO”, ndërsa do të ndërmerren veprime edhe ndaj tregjeve dhe aktiviteteve të paligjshme që operojnë jashtë rregullave.
Sa i përket sektorit të gastronomisë, orari i punës së kafeterive dhe restoranteve do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Komunal, me synimin për të gjetur një zgjidhje që mbështet turizmin dhe bizneset lokale gjatë sezonit.
Në fokus ishte edhe problemi i parkimit të paligjshëm pranë plazheve, ku po analizohen masa për mbrojtjen e trotuareve dhe përmirësimin e menaxhimit të trafikut me pajisje më moderne.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte edhe projekti për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë, i cili sipas autoriteteve komunale ndodhet në fazën përfundimtare.
Po ashtu, për shkak të shtimit të rasteve të lypjes gjatë verës, u kërkua koordinim më i madh me policinë për të parandaluar veprimtarinë e grupeve të organizuara që vijnë në Strugë gjatë sezonit turistik.
Nga Komuna e Strugës u theksua se qëllimi kryesor mbetet garantimi i një vere më të sigurt, më të organizuar dhe më funksionale si për qytetarët ashtu edhe për turistët që zgjedhin Strugën si destinacion pushimi.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button