Aktuale

Mendi Qyra në UNESCO në Paris, Struga dhe Ohri para sfidave për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit

Në kuadër të vizitës zyrtare në Paris, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka zhvilluar një takim me Ndihmës Drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s për Kulturë, Ernesto Ottone, si dhe me përfaqësues të lartë të kësaj organizate ndërkombëtare.
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, si dhe përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke u paraqitur një front i përbashkët institucional për çështjet që lidhen me statusin dhe mbrojtjen e Rajonit të Ohrit nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Në fokus të bisedimeve ka qenë mbrojtja e Rajonit të Ohrit si interes i përbashkët dhe përgjegjësi e përbashkët e institucioneve vendore dhe qendrore. Sipas palëve, bëhet fjalë për një pasuri të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore, ruajtja e së cilës mbetet një nga sfidat kryesore për shkak të presioneve të vazhdueshme zhvillimore.
Bashkëbiseduesit janë dakorduar se, pavarësisht sfidave të akumuluara ndër vite dhe rreziqeve që mund të paraqiten edhe në të ardhmen, problemet mund të adresohen vetëm përmes një qasjeje të koordinuar, partneriteti institucional dhe dialogu të vazhdueshëm me UNESCO-n. Vëmendje e veçantë i është kushtuar urbanizmit në Rajonin e Ohrit, i cilësuar si një nga pikat më të ndjeshme që ndikon drejtpërdrejt në statusin e mbrojtjes së rajonit.
Në këtë kontekst, është theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Strugës dhe Ohrit është thelbësor, duke pasur parasysh se trashëgimia natyrore dhe kulturore e Rajonit të Ohrit është e përbashkët dhe tejkalon kufijtë administrativë të dy komunave.
Kryetari Qyra ka deklaruar se turizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale në Strugë, por se zhvillimi i tij duhet të harmonizohet me parimet e mbrojtjes së trashëgimisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Nga ana tjetër, përfaqësuesit institucionalë kanë ritheksuar se përfshirja e Strugës në zonën e mbrojtur të UNESCO-s përbën një nder, por edhe një përgjegjësi serioze, që kërkon angazhim konkret dhe masa të vazhdueshme në terren.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button