Mendi Qyra nga Tirana: Struga është gati të hyjë fuqishëm në hartën turistike rajonale

Tiranë – Në kuadër të pjesëmarrjes së Komunës së Strugës në panairin ndërkombëtar të turizmit “Tourism Fair Albania 2026 – Iceberg Exhibitions”, kryetari i komunës, Mendi Qyra, ka marrë pjesë në panel-diskutimin me temë “Pozicionimi i destinacioneve: Nga imazhi te ndikimi real”.
Gjatë fjalës së tij, Qyra ka prezantuar potencialin turistik të Strugës, duke vënë në pah bukuritë natyrore, trashëgiminë e pasur kulturore, traditat lokale dhe mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit. Sipas tij, Struga ka kapacitetin të pozicionohet si destinacion i rëndësishëm rajonal, që u ofron vizitorëve një përvojë autentike dhe të veçantë.
Kryetari i Strugës u ka bërë thirrje publike operatorëve dhe agjencive turistike që ta përfshijnë Strugën në ofertat dhe paketat e tyre turistike, me qëllim rritjen e fluksit të vizitorëve dhe forcimin e pranisë së qytetit në hartën turistike rajonale dhe ndërkombëtare.
Nga Komuna e Strugës bëjnë të ditur se pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare dhe forume profesionale synon promovim aktiv dhe pozicionim strategjik të qytetit, si dhe krijimin e bashkëpunimeve konkrete me partnerë nga sektori i turizmit, me qëllim gjenerimin e ndikimit real në zhvillimin ekonomik lokal.





























