
Mendi Qyra: Me ndërrimin e tubave të azbestit, do të rinovohen edhe rrugët e Strugës – qytetit do t’i kthehet pamja dhe dinjiteti që meriton
Kandidati për kryetar të Strugës, Mendi Qyra, ka bërë një premtim të qartë për qytetin: bashkë me ndërrimin e tubave të azbestit, do të fillojë edhe rinovimi i rrugëve, duke i kthyer Strugës pamjen e dikurshme dhe dinjitetin që i takon.
Gjatë një vizite në njërën nga lagjet më të vjetra të qytetit, Qyra ndau një moment domethënës me banorët:
“Sikur çdo vit të asfaltoheshin nga dy rrugë, për katër vite Struga do të ishte bërë si tepsi bakllave”, – i kishte thënë me humor një banor.
“Dhe kishte plotësisht të drejtë,” – shtoi Qyra. “Njerëzit nuk kërkojnë shumë: vetëm rrugë të rregulluara, pastërti dhe kushte normale për jetesë. Këto janë gjërat bazë që çdo qytetar meriton.”
Ai theksoi se projekti për ndërrimin e tubave të azbestit do të shoqërohet me asfaltimin dhe sistemimin e rrugëve, si pjesë e planit të tij për ta bërë Strugën një qytet modern, funksional dhe të denjë për qytetarët e saj.
“Premtimi im është i qartë: Struga do të marrë pamjen dhe dinjitetin që ka pasur dikur,” – përfundoi Qyra.




























